Pushimet dimërore: Shumë dëshira, pak mundësi

Brezovica

Dëshirat e disa të rinjve kosovarë që pushimet dimërore t’i kalojnë jashtë territorit të Kosovës, për shumicën e tyre nuk mund të realizohen, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Megjithatë, në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa nga të anketuarit thonë se ndonjë vikend do të kalojnë në kompleksin turistik “Brezovica”, ose dhe në Malet e Rugovës, të tjerë tregojnë se do t’i kalojnë disa ditë në malet e shteteve fqinje, si në Maqedoni.

Por, ka edhe nga ta që nuk kanë mundësi financiare të planifikojnë ndonjë pushim, madje, as brenda Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Pushimet dimërore: Shumë dëshira, pak mundësi

Blerta Shabani, studente në Fakultetin Ekonomik shpreh dëshirën e madhe për të shkuar në pushim, por pengesë për të paraqiten mjetet materiale.

“Për fat të keq unë jam studente dhe varem prej financave të babait. Babai im e ka pagën 300 euro dhe nuk kemi mundësi, edhe pse dëshira ekziston. Shoqëria ime shkon zakonisht, por unë personalisht nuk kam mundësi”, thotë Blerta.

Adrian Kastrati, student në Fakultetin e Mjekësisë, tregon se pushimet dimërore ai pothuajse çdo vit i kalon njëjtë.

“Për pushime kryesisht frekuentoj Bogën ose Brezovicën, si dhe Mavrova e Maqedonisë në raste të caktuara. Unë kam planifikuar të shkoj në Maqedoni, por edhe ndonjë vikend në Brezovicë, sigurisht”, tregon Adriani.

Por, ka edhe të atillë që ndonëse kanë mundësi financiare, nuk kanë kohë që të shkojnë në pushime dimërore.

“Me standardin që jetoj, nuk është që nuk kam mundësi. Por, jemi tepër të ngarkuar me punë, nuk gjejmë kohë të përbashkët me shoqëri. Jemi duke shikuar mundësitë, nëse mundem, do të dal jashtë Kosovës, por nëse nuk mund të koordinohemi, atëherë do të shkoj në Bjeshkët e Rugovës për disa ditë”, thotë Mimoza, e cila punon me projekte të ndryshme, kryesisht me organizata joqeveritare.

Dea Sadiku, nxënëse, thotë se mundësitë financiare e lejojnë që të kalojë dy vikende, gjatë gjithë pushimeve dimërore brenda Kosovës.

“Duke u nisur nga standardi që kam, ndonjë vikend kam mundësi ta kaloj brenda Kosovës, si Brezovicë ose Bogë. Aty kam mundësi t’i mbuloj shpenzimet, pasi që çmimet nuk janë shumë të larta. Por, jo më shumë se dy vikende gjatë dimrit”, thekson Dea.

Disa studentë thonë se gjatë kohës së pushimeve, duhet të përgatiten për afatin e ardhshëm të provimeve.

Saranda Morina, studente në Fakultetin e Gjeografisë, në Universitetin e Prishtinës, është njëra prej studentëve që i duhet të shfrytëzojë këtë kohë, e të mësojë për provimet që ka:

“Jam e angazhuar edhe në fakultet, edhe derisa t’i kryej disa obligime nuk mundem. Jashtë Kosovës jo, nuk kam mundësi, por në Brezovicë po, si krejt”.

Por, ka edhe të rinj që thonë se ndonëse kanë mundësi të shkojnë për skijim jashtë Kosovës, procedurat për vizë janë të lodhshme, andaj pushimet dimërore vazhdojnë t’i kalojnë brenda Kosovës ose aty ku nuk ka regjim vizash për banorët e Kosovës.

“Ende nuk kam plan konkret, por do të shkoj në skijim. Gjasat janë brenda Kosovës, pasi që problemin me viza nuk po mund ta përballoj më. Nëse dal jashtë Kosovës, do të shkoj në Maqedoni”, thotë studentja Miranda Paçarada.