Biden: SHBA, gati për zgjidhje ushtarake në Siri

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja dhe Turqia janë të përgatitura për të kërkuar një zgjidhje ushtarake në Siri, nëse marrëveshja politike është e pamundur.

Biden ka thënë se marrëveshja politike “do të ishte më e mirë”, por “nëse nuk është e mundur, SHBA do të ndjekë alternativa”.

Kjo do të përfshinte “dëbimin e Daesh-it”, ka thënë Biden, duke përdorur akronimin arab për grupin militant Shteti Islamik (IS).

Biden i ka bërë këto komente pas bisedimeve në Stamboll me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu.

Duke folur për shanset e arritjes së një zgjidhjeje politike në Siri, Biden ka thënë:

“Nuk jemi as optimistë, as pesimistë. Jemi të vendosur”.

Biden ka thënë se ai dhe Davutoglu kanë diskutuar për mënyrën se si vendet e tyre mund të mbështesin tutje rebelët arabë sunitë që kundërshtojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ai po ashtu ka thënë se Uashingtoni konsideron se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është e paligjshme në Turqi, është po aq kërcënim për Ankaranë sa edhe Shteti Islamik.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është e listuar si grup terrorist nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian, është akuzuar për kryerjen e disa sulmeve vdekjeprurëse kundër forcave turke të sigurisë, prejse armëpushimi midis tyre ka kolapsuar në muajin korrik.