Në 10-vjetorin e vdekjes, çmohet lart filozofia politike e Rugovës

Homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në dhjetë vjetorin e vdekjes së tij

Në 10-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, në Kosovë të enjten është rikujtuar jeta, vepra dhe filozofia politike e tij.

Personalitetet më të larta të jetës politike e publike kanë bërë homazhe te varri i presidentit Rugova në Prishtinë, ndërkohë që janë organizuar edhe akademi përkujtimore dhe aktivitete tjera.

Formula politike e Rugovës, që Kosova të jetë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe të ndërtojë miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u vlerësua si busull orientuese në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se e çmonte lart rolin dhe kontributin e presidentit Rugova, në gjithë procesin e shtet ndërtimit të Kosovës.

“Vizioni i tij na bën që të nderojmë dhe të kujtojmë me respektin më të madh liderin, arkitektin dhe udhëheqësin, i cili e orientoi popullin tonë dhe vendin tonë drejt vlerave properëndimore, dhe drejt miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Jahjaga.

Në 10-vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës organizoi edhe një Akademi Përkujtimore. Aty, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerësoi se Rugova ishte jo vetëm një prijës politik, por edhe shpirtëror i Kosovës në kohët më të vështira drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Presidenti Rugova ishte prijësi me të cilin lidhet një epokë – epoka e pavarësisë. Ideja e pavarësisë së Kosovës hyn në domenin e ideve të mëdha, jetësimi i të cilave kërkon dije, kërkon urtësi e sakrifica të jashtëzakonshme”, ka thënë Mustafa.

Homazhe tek varri i Rugovës ka bërë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës, dhe kandidat për presidentin e ardhshëm të vendit.

Me këtë rast, Thaçi tha se Rugova ka një kontribut të gjithanshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot e nderojmë për kontributin e tij, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për vlerat euro-atlantike që i ka vënë në skenën politike kosovare, për kontributin e tij për rendin demokratik, për perspektivën euro-atlantike, për lirinë e vendit”, është shprehur Thaçi.

Nga partitë opozitare, homazhe te varri i presidentit Rugova ka bërë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidenti i ndjerë Rugova njihet si një prej politikanëve më të shquar të Kosovës. Së bashku me një grup intelektualësh, ai kishte themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor të vitit 1989, për t’u vënë kështu në ballë të rezistencës paqësore, që synonte pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Pas luftës, ndërhyrjes së NATO-s dhe vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Rugova u zgjodh president i Kosovës, por ai nuk e priti ditën e pavarësisë së saj, për të cilën ishte angazhuar aq shumë. Ai ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë, më 21 janar të vitit 2006.

Rugova ishte shpallur hero i Kosovës nga ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.