Rreth 70 për qind e mjeteve të buxhetit të Kosovës grumbullohen nga Doganat e Kosovës.
Ky institucion, për arkën e shtetit, grumbullon tri tatime kryesore: tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.
Në këtë kuadër, Dogana e Kosovës edhe vitin e kaluar ka pasur sukses, kurse pritet që edhe gjatë këtij viti t’i përmbushin parashikimet e qeverisë.
Nga 1 miliard e 598 milionë, sa është buxheti për këtë vit, vetëm Dogana e Kosovës parashihet të mbledh mbi 1 miliard euro.
Adriatik Stavileci , zëdhënës në Doganat e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë vitit të kaluar ky institucion ka mbledhur 950.4 milion euro, kurse për këtë vit pritet që vlera të rritet për 50 milion euro.
“Gjatë vitit 2015, përveç se kemi tejkaluar një shkallë të lartë prej afër 80 milion euro nga viti 2014, Dogana ka tejkaluar edhe parashikimet e parapara edhe nga qeveria e Kosovës. Kurse për vitin në 2016, nga Dogana pritet që shuma prej 950 milionë eurosh të shndërrohet mbi një miliard euro”, ka thënë Stavileci
Por, ekspertë për çështje ekonomike e vlerësojnë praktikë jo të mirë mbushjen e buxhetit të Kosovës nga të hyrat doganore.
Musa Limani, profesor i Ekonomisë, konsideron se pikërisht mbushja e buxhetit nga Dogana, Kosovës po i kushton më deficit të lartë tregtar dhe zhvillim të ulët ekonomik.
Madje, për një praktikë të tillë, ai fajëson të gjitha qeveritë e deritashme, pasi kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët krahasuar me atë të importit.
“Unë mendoj se importin e rritë qeveria më qëllim të caktuar që të rrisë të hyrat buxhetore. Siç dihet, për fat të keq, 70 për qind të mjeteve buxhetore në Kosovë grumbullohen në kufi”, tha Limani .
Edhe drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi shfaqet mjaft kritik për mënyrën e mbledhjes së të hyrave për mbushjen e buxhetit të Kosovës.
Për Radion Evropa e Lirë, Demi thotë se kjo praktikë duhet të kthehet në proces të kundërt, ku të hyrat vendore të jenë më të mëdha se sa ato doganore.
“Kjo do të duhej të ndryshohet e të kthehet në mënyrë të kundërt; pra, të kemi më shumë të hyra nga zhvillimi ekonomik, komunat të rrisin të hyrat vetanake dhe të rritet veprimtaria e bizneseve dhe punësimi”.
“Ato pastaj do të gjeneronin të hyra dhe jo vetëm prej doganave, për shkak se në këtë mënyrë është rritur deficiti tregtar mbi 2 miliard euro, dhe kjo po mbush buxhetin e Kosovës . Por, në anën tjetër, kjo tregon se në çfarë niveli të ulët të zhvillimit ekonomik gjendet Kosova”, thotë Demi.
Ndryshe, zyrtarë qeveritarë më herët patën pohuar përkushtimin e tyre për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj, në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit.
Të hyrat e grumbulluara nga Administrata Tatimore e Kosovës gjatë vitit të kaluar kanë arritur në 332.3 milion euro, kurse sipas planit të të hyrave për këtë vit, kjo administratë duhet të grumbullojë 370 milion euro.