Qeveria: Shuhet “Mbrojtja Civile”

Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit të datës 26 mars të vitit të kaluar, është shuar e ashtuquajtura “Mbrojtja Civile”.

“Ish pjesëtarët e kësaj strukture gjithsejtë 483 janë integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor. Sot kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet qendrore të Kosovës gjithsejtë 378 ish pjesëtarë të “Mbrojtjes civile” ndërsa më herët në tetor të vitit të kaluar 105 të tjerë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, citohet në komunikatë të ketë thënë se shuarja e kësaj strukture paralele të Serbisë “shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, e cila u mundësua duke iu falënderuar Dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjes për shuarjen e mbrojtjes civile”.

Integrimi i këtyre personave në sistemin e Kosovës, sipas ministres Tahiri, është një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të objektivave të Qeverisë së Kosovës për konsolidimin e sovranitetit dhe normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të kësaj pjese jetën publike dhe shoqërore.

Ministrja Tahiri ka njoftuar se në bazë të vendimit të qeverisë, 378 personat që e kanë nënshkruar sot kontraten e punës me institucionet e Kosovës, do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016.