Organizatat, të cilat kanë në fokus të drejtat e grave, duke iu referuar të dhënave nga Banka Botërore se vetëm 16 për qind e grave në Maqedonijanë bartëse të pronës, thonë se urgjentisht vendit i duhet një strategji kombëtare për të parandaluar këtë dukuri.
Xhane Kreshova nga Forumi i Gruas në Tetovë, thotë se në bashkëpunimme rrjete të ndryshme të grave, autoritetet shtetërore duhet hapur më shumë debate për të drejtën e pronësisë dhe vetëdijesimin e grave për ta shfrytëzuar këtë të drejtë.
Pavarësia ekonomike, sipas saj, është kruciale për realizimin e më shumë të drejtave, siç është ajo e shkollimit apo riaftësimit në fusha të caktuara, të bërit biznes apo thjesht për t’u bërë pjesë aktive e shoqërisë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme
Kreshova thotë se në mungesë të dhënave konkrete sa i përket gjendjes vetëm në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, ajo iu referohet të dhënave që merr nga terreni, se gratë shqiptare, në mbi 95 për qind të rasteve heqin dorë nga e drejta për të trashëguar pronë.
“Ku është problemi? Në të shumtën e rasteve femrat vetë heqin dorë nga trashëgimia e tyre, veçanërisht në viset rurale. Unë mendoj se në këtë drejtim, kryesisht ka të bëjë fryma patriarkale dhe paragjykimet, të cilat janë në shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht, kështu do të vazhdojë derisa të mos kemi ngritje të vetëdijes se varshmëria ekonomike ngushton hapësirën e më shumë të drejtave”, konsideron Kreshova.
Si problematike, ajo e fokuson dhe mosmarrjen e pronës së krijuar në bashkësi, nga ana e grave pas shkurorëzimit.
“E para, marrëdhëniet pronësore kanë filluar të rregullohen shumë vonë këtu në Maqedoni dhe duke qenë se akoma pjesa më e madhe e familjeve shqiptare jetojnë në bashkësi, pra shumë vëllezër jetojnë në një familje të përbashkët, pastaj kemi problemin e vetëdijesimit të grave se duke qenë jo të punësuara, nuk do të thotë se ato nuk kanë kontribuar për grumbullimin e pasurisë etj”, thekson për Radion Evropa e Lirë Kreshova.
Ndërkaq, Leonora Kaliqi nga organizata e grave “AJO”, fajin për këtë realitet në Maqedoni, duke e bërë femrën pjesë pasive të shoqërisë si rrjedhojë e mungesës së mjeteve financiare, ia adreson më shumë faktorëve.
“Mungojnë iniciativat, veprimet konkrete. Fillimisht, do të fokusoja hapjen e debateve në këtë drejtim, në funksion të sensibilizimit dhe informimit të gruas për të drejtat themelore të saj, ku bën pjesë dhe e drejta e trashëgimisë, posedimit të pronës".
"Pra, u mbetet shumë për të punuar organizatave joqeveritare dhe të gjitha organeve kompetente, sepse bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme dhe për ta thyer atë gëzhojë të patriarkalizmit që i ka rrënjët shumë të thella në shoqërinë tonë, duke mos hyrë dhe në keqinterpretimet që i bëhen fesë, e cila është një problematikë më vete”, thotë Kaliqi.
Sipas saj, më problematik është fakti se femra është ajo që e përjashton veten nga drejta e trashëgimisë.
“Pra, femra te ne, vetë është ajo që heq dorë nga e drejta që i takon me ligj për të qenë pronare e trashëgimisë, duke u nisur nga botëkuptimet patriarkale se ajo ka dalë nga ajo shtëpi dhe shtëpia e saj është ajo e burrit. Fatkeqësisht, mungesa e pavarësisë materiale ka bërë që femrat shqiptare në Maqedoni jo rrallë herë t`i nënshtrohen edhe dhunës nga ana e burrit dhe familjes së tij në çdo formë, si pasojë e mungesës së pavarësisë ekonomike”, potencon Kaliqi.
Edhe Fatmir Ajruli, i cili punon me vite si noter, sqaron se janë të pakta rastet kur vetë prindërit, nëpërmjet testamentit të lënë përcaktojnë se pjesë e trashëgimisë së tyre janë vetëm djemtë, po jo edhe vajzat, por gjatë ndarjes së pronës, pjesa më e madhe gjinisë femërore vullnetarisht heq vetë dorë nga trashëgimia në interes të vëllezërve të tyre.
“Po nga përvoja ime mund të them se femrat shqiptare kryesisht heqin dorë nga e drejta ligjore për të trashëguar pronën nga prindërit e tyre, por një gjë e tillë nuk vlen për palën maqedonase, ku kjo dukuri është shumë më e pak e pranishme".
"Një nga arsyet mund të jetë dhe ajo se shkohet sipas traditës, pra ku titullar i trashëgimisë zakonisht janë burrat dhe kështu shkohet që kjo pronë të trashëgohet po nga gjinia mashkullore, edhe pse këtë gjë s’e njeh ligji”, thekson noteri Ajrulli.
Organizatat e grave, po ashtu, thonë se mosshfrytëzimi i së drejtës së pronës, ndikon në kualitetin e jetës, jo vetëm të femrave, por edhe shoqërisë në përgjithësi.