Rritja e akcizës së duhanit zvogëlon duhanpirjen

Ilustrim

Nga 1 janari i këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ngritur akcizën për duhan, nga 38 euro në 1000 copë, në 41 euro. Rritja e akcizës për këtë produkt është paraparë që deri në vitin 2019 të ngrihet deri në 47 euro në 1000 copë.

Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë, e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), organizatë kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çdo ngritje e akcizës së duhanit në bazë të studimeve që janë bërë, ul numrin eduhanpirësve për rreth 4 për qind.

Ne, si organizatë, e përkrahim ngritjen e akcizës pikërisht për shkaqe shëndetësore, sepse është një produkt që shkakton sëmundje, vdekje dhe pa aftësi, i cili nuk duhet të trajtohet njëjtë si produktet tjera”.

“Ngritja e çmimit të duhanit e bën më pak të qasshme moshën e re, për shkak se atakon buxhet të limituar. Përveç që ndihmon popullatën e rritur për ta ndërprerë duhanin, gjithashtu parandalon fëmijët që të nisin pirjen e duhanit”, thotë Spahiu.

Miratimi i propozimit për ngritjen e akcizës për produktet e duhanit, është në përputhje edhe me Konventën Kornizë për kontrollin e duhanit, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës këto masa kanë efekt të menjëhershëm në uljen e konsumit të duhanit, pasi që duhanpirja shkakton vdekjen e 6 milionë njerëzve në vit.

Sipas Qendrës për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, është vërtetuar se çdo rritje e çmimit të duhanit për 10 për qind, zvogëlon konsumin e përgjithshëm të duhanit për tre deri në pesë për qind, dhe redukton numrin e të miturve që tymosin duhan për 6 deri në 7 për qind.

Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi nga data 22 maj e vitit 2013.

Ndonëse ky ligj në fillim respektohej, kohë pas kohe është rritur numri i shkelësve, duke mos e respektuar atë.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thotë se, “Ligji për kontrollin e duhanit do të dëshmojë me kohë përfitimet që do të kenë qytetarët e Kosovës në aspektin shëndetësor, ekonomik, atë të mjedisit dhe në aspektin social".

Mirëpo, ekspertë të ekonomisë shohin një tjetër rrezik nga rritja e akcizës së produkteve siç është duhani.

Sipas tyre, në momentin që rritet akciza në produkte dhe bëhet më e lartë sesa në vendet e rajonit, atëherë ekziston rreziku i rritjes së kontrabandës.

Ndërkaq, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se niveli i kontrabandës në Kosovë nga viti në vit ka shënuar rënie.

Aktualisht, tregu i duhanit, produkti i fundit që i është rritur akciza, është një treg mjaft i rregulluar. Dogana ka të dhëna se kush janë importuesit, pastaj për sasinë e importit dhe konsumimit. Ne e vlerësojmë se 95 për qind e të gjitha produkteve të duhanit që hyjnë në Kosovë, janë të zhdoganuara. Kemi një 5 për qind që konsiderohet se mund të jetë kontrabandë”, bën të ditur Stavileci.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, gjatë një viti, në Kosovë hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.

Në bazë të këtyre statistikave, del se qytetarët e Kosovës harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit, për konsumim të duhanit.