Ekonomia bart pasojat e jostabilitetit politik

Ilustrim

Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2016 do të bartë pasojat e jostabilitetit politik që ka karakterizuar vendin gjatë vitit që lamë pas, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e biznesit në Kosovë.

Ata thonë se vitin e kaluar ekonomia e Kosovës barti pasojat e bllokadës institucionale të vitit 2014, ndërsa këtë vit, ekonomia e Kosovës do t’i bartë pasojat e bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës për muaj me radhë nga partitë opozitare.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se si pasojë e mungesës së stabilitetit politik, shumë çështje me interes për ekonominë e Kosovës kanë ngecur.

“Dëmi më i madh që i është shkaktuar ekonomisë është dekurajimi i investitorëve të jashtëm, pasi jostabiliteti politik është faktori qenësor i cili ndikon në dekurajimin e investitorëve të jashtëm, për të cilët Kosova ka nevojë më së shumti”, ka theksuar Gashi.

Tri partitë opozitare në Kosovë, që nga 25 gushti i vitit të kaluar, jo vetëm që kanë bojkotuar, por edhe ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës. Këtë gjë e kanë bërë në shenjë kundërshtimi e proteste ndaj nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e më pas edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Ndërkohë, sipas Gashit, procedurat për miratimin e ligjit për investime strategjike dhe reformat fiskale të bëra gjatë vitit të kaluar do të kenë efektet pozitive gjatë këtij viti.

Ai thotë se autoritetet e Kosovës duhet të fokusohen gjatë këtij viti në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Kosova është një vend me perspektivë të zhvillimit ekonomik, pasi ka një popullatë të re dhe ka resurse të mëdha natyrore, sidomos ato energjetike dhe minerare dhe aktivizimi i këtyre resurseve do të gjenerojë zhvillim ekonomik për Kosovën”, shton Gashi.

Tërheqja e investimeve të huaja edhe nga përfaqësuesit e bizneseve vendore shihet si shpëtim për ekonominë e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë duhet të ketë përmirësim të situatës politike, në mënyrë që Kosova të bëhet një vend atraktiv për investitorët.

“Kosova nuk mund ta arrijë një shkallë të kënaqshme të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomikpa një fluks të investimeve të huaja direkte. Përvoja në të kaluarën ka qenë e mjaftueshme për të parë që vetëm investimet e brendshme dhe vetëm ato pak investime të jashtme që kemi pasur nuk mjaftojnë që të kemi një normë më të lartë të rritjes ekonomike”, shton Zeka.

Ligji për investimet strategjike, ndryshimet tatimore, si dhe reformat fiskale të bëra gjatë vitit 2015, sipas Zekës, e kanë pasuruar ofertën e Kosovës për investitorët e huaja, por që vetëm këto janë të pamjaftueshme për tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Një gjë që është kritikuar shumë gjatë viteve të kaluara dhe që unë shpresoj që do ta kthejë fokusin dhe vëmendjen e qeverisë është përmirësimi i sundimit të ligjit, rritja e efikasitetitnë punën e gjykatave, dhe jo vetëm rritja e shpejtësisë së natyrës së lëndëve komerciale, por edhe rritja e profesionalizmit të gjyqtarëve që trajtojnë lëndë të tilla,. Po ashtu duhen edhe rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit”, thekson Zeka.

Përndryshe, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se viti 2015 u karakterizua me ritëm të përshpejtuar të rritjes, të gjeneruar kryesisht nga rritja e kërkesës së brendshme.

Norma vjetore e rritjes ekonomike në vitin 2016 pritet të arrijë në rreth 3.5 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike gjatë vitit 2015 e kanë dhënë edhe investimet e huaja direkte, të cilat, bazuar në të dhënat deri në muajin tetor, janë mbi 300 milion euro.