Të rinjtë, skeptikë për vitin 2016

Ilustrim

Pritjet e të rinjve për vitin 2016 janë të shumta për zhvillim dhe përparim në fusha të ndryshme, si ekonomi, arsim, shëndetësi. Por, duke marrë parasysh zhvillimet e deritashme në vend, sidomos situatën politike, të rinjtë thonë se ato vështirë se do të mund të realizohen.

Gjatë anketimit të të rinjve për rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se do të ketë mjaft punë, por gjithashtu theksojnë se shumica e këtyre punëve do të varej nga mënyra se si politikanët e menaxhojnë vendin.

Engjëll Hamiti, që studion Shkencat Politike, thotë se ndonëse nuk pret shumë përmirësime në fusha të caktuara, populli i Kosovës ka dalë të jetë mjaft optimist në hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme. Andaj, ai thotë se mbetet me shpresë për përmirësime.

Prej vitit 2016 pres të bëhet më mirë, ndonëse shpresat janë të vogla. Është duke u stërzgjat çdo proces dhe nuk po shoh diçka pozitive në jetën tonë të përditshme. Por, ne, si popull, njihemi si optimistë dhe dimë të shpresojmë dhe po e vazhdojmë shpresën dhe për një vit”, shprehet Engjëlli.

Drita Rrustemaj, studente e Fakultetit Ekonomik , ndër të tjera thotë se shpreson që në vitin 2016 do të punësohet:

“Prej vitit 2016 presim një Kosovë të mirë, një Qeveri të mirë, presim shëndet të mirë. Pres që si studente, të jem e suksesshme dhe ta gjej një punë të mirë”.

Sipas Erna Zogianit, studente në Fakultetin e Arteve, Kosovës i duhet zhvillim më i mirë ekonomik.

“Përparim ekonomik... Besoj që kjo i duhet vendit dhe tjerat shkojnë përpara shumë më lehtë. Gjithashtu, trazirat politike të qetësohen, gjë që na ka përcjellë me muaj gjatë vitit 2015 dhe pres që shteti të zhvillohet ekonomikisht”, thotë Erna.

Fjolla Berisha, studente e Fakultetit Filozofik, dega Shkenca Politike, gjatë anketimit deklaron se është optimiste se viti 2016 do të sjellë lëvizje pozitive.

“Prej vitit 2016pres një reagim pozitiv në gjitha fushat, si atë të edukimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, ashtu siç po presim që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Shpresoj që vitit 2016 do t’i lëvizë pozititvisht gjërat”, thekson Fjolla.

E, mjaft pesimist duket Agron Stanovci, që sipas tij në Kosovë nuk do të bëhet më mirë se vitet paraprake:

“Edhe më keq pres që do të jetë viti 2016. S’ka kurrfarë përmirësimi. Sipas mendimit tim, edhe më keq do të bëhet. S’po shihet që ka ndonjë përmirësim. Zhvillim ekonomik s’ka. S’ka vende pune”.

Derisa Mentor Lama, thotë se shpreson që në vitin 2016 të ketë shëndet të mirë, dhe të gjendet individualisht, pasi që nga shteti i Kosovës nuk pret asgjë:

Çka të presim. Si zakonisht, asgjë më mirë. Urojmë të kemi shëndet, se prej tjerëve s’kemi çka presim. Kurrfarë përmirësimi në asnjë fushë nuk shoh”.

Ndryshe, çdo fundvit, është më se e zakonshme të vlerësohet viti që po lëmë pas, për sukseset apo dështimet e tij.

Partitë politike në pushtet, kuptueshëm vlerësojnë sukseset, kurse ato në opozitë, natyrshëm numërojnë dështimet. E të anketuarit e kanë parë më shumë si dështim gjithë vitin 2015.