Dyshime për korrupsion ndaj ish-shefit të prokurimit në Komunën e Lipjanit

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-shefit të prokurimit në Komunën e Lipjanit, R.Z. (emër i njohur për redaksinë).

Sipas komunikatës së lëshuar nga Prokuroria, ai akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit.

“R.Z, thuhet se ka shkelur rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik me qëllim që një operatori ekonomik t’i mundësojë fitimin e tenderit dhe përfitimin material për vete apo personin tjetër”, theksohet në komunikatë.

Vetë i akuzuari R. Z, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë konfirmim zyrtar , por që pranon se që nga përfundimi i mandatit të tij, që dy vite, tri herë është marrë në pyetje për tri lëndë nga organet e drejtësisë.

Ai pranon se në pyetje është marrë edhe për një lëndë që ka të bëjë dhënien me koncesion të një parcele në vitin 2009, e për të cilën me disa raporte radhazi pati informuar Radio Evropa e Lirë.

Parcela në fjalë është, siç thuhet në kontratë, ½ e 3.81 hektarë toke në Konjuh të Lipjanit, me numrin kadastral P-71409036-00164 - 4.

Në tenderin e shpallur në vitin 2009, përfituese të shfrytëzimit të kësaj parcele kanë qenë dy kompani, “Punëtori” dhe "B-Inginiering".

Ndërkaq, si shfrytëzues i sipërfaqes prej rreth 4 hektarësh tokë, në fletën poseduese, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, në prezencën e tre punonjësve të zyrës për kadastër, figuron emri i Universitetit të Shkencave Mjekësore” Rezonanca”.

Për parregullsitë e paraqitura në koncesionimin e disa parcelave në Komunën e Lipjanit mund të lexoni më poshtë…

Parregullsitë me prona nën hetime