Mungesa e mjeteve financiare për të studiuar, papunësia, cilësia e dobët e mësimdhënies, liberalizimi i vizave, janë vetëm disa nga problemet që të rinjtë kishin identifikuar përgjatë një viti në rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë.
Viti 2015 kishte nisur me një numër të madh të qytetarëve, kryesisht të rinj, të cilët e braktisnin Kosovën për një jetë më të mirë në ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Migrimi në një vend evropian ishte parë si dëshira dhe shpresa e shumë të rinjve nga Kosovë.
Të rinj të intervistuar, kishin thënë se arsyeja e largimit nga Kosova po bëhet për shkak të mungesës së perspektivës dhe kushteve jo të mira ekonomike e sociale
Amiri, një djalë i ri nga Prishtina, i cili së shpejti do të përfundonte studimet në Fakultetin Juridik, kishte theksuar se me shumë vështirësi po ia del që t’i kryejë studimet.
Ai frikësohej se pas përfundimit të studimeve, nuk do të arrinte të gjente një vend pune. Kjo ka bërë që Amiri të mendonte vazhdimisht që ta braktiste vendin dhe të gjente një jetë më të mirë diku ne Evropë.
“Kudo, vetëm jashtë Kosovës kisha shkuar. Këtu nuk ka perspektivë. Përfundon fakultetin dhe nuk arrin të gjesh punë. Është bërë njëjtë si për ata që përfundojnë shkollim superior, si për ata që nuk kanë fakultet, të gjithë janë pa punë”, kishte thënë Amiri.
Your browser doesn’t support HTML5
Papunësia ishte theksuar si problem mjaft i madh nga të rinjtë gjatë vitit 2015. Tregu i punës në Kosovë nuk arriti që zbut nivelin e papunësisë te të rinjtë gjatë këtij viti.
Sipas rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar është rritur në 35,3 për qind shkalla e papunësisë, nga 30 për qind sa ishte në vitin 2013.
Gjatë kësaj periudhe, sipas rezultateve të anketës, është rritur papunësia edhe te të rinjtë (15- 24 vjeç) nga 55 për qind sa ka qenë, në 61 për qind.
Genta Berisha kishte deklaruar se papunësia është problem për të dhe të rinjtë në Kosovë.
“Do të ishte një përparësi shumë e madhe, jo vetëm për mua, po edhe për prindërit e mi, që edhe unë të punoj ngapak, por edhe të studioj në të njëjtën kohë. Do të ishim mësuar shumë për të ardhmen, për sfidat që do të mund t’i kemi më vonë. Problemet që më shumë i kanë të rinjtë janë ato që lidhen me kushtet socio-ekonomike”, ishte shprehur Genta.
Të rinjtë nga Kosova vazhdimisht kanë bërë të njohur interesimin e tyre për punësim sezonal. Ata kishin kërkuar nga autoritetet e vendit që së paku t’iu mundësojnë punësim tremujor jashtë vendit, në mënyrë që t’i përballojnë shpenzimet e studimeve.
Të rinjve në Kosovë, të cilët e kishin të vështirë të siguronin të ardhurat për studime pasi që nuk punonin, në ndihmë iu kishin dalë të afërmit e tyre që jetonin jashtë vendit.
Driton Kurti, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pati thënë se pa mbështetjen e familjarëve që i jetojnë jashtë vendit, nuk do të mund t’ia dilte të jetonte dhe as të studionte.
“Po, kam në diasporë shumë anëtarë të familjes së ngushtë, kam tre axhallarë atje dhe hallën, shumica janë atje. Mbështetja e tyre është e madhe. Ata financojnë studimet e mia, semestrat, fjetjen ushqimin të gjitha. Duke i pasur parasysh kushtet e rënda ekonomik këtu në Kosovë, ndihma që ata japin për ne, është e madhe. Ndonjëherë ndihem keq që ata shpenzojnë aq shumë për ne, por prapë pa ta nuk do të mundem t’ia dal të jetoj”, kishte treguar Dritoni.
Gjatë vitit 2015, nuk kishin munguar problemet e shumta në Universitetin e Prishtinës. Studentët e këtij Universiteti kishin theksuar si problem qenësor cilësinë e dobët të mësimdhënies dhe kushtet jo të mirë të studimeve.
Shaban Jerliu, student në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte treguar për një varg parregullsish në UP:
“Profesorët nuk e mbajnë orën të plotë. Edhe asistentët kur i organizojnë provimet, nuk i marrin parasysh kollokfiumet. Gjithashtu, shumica e profesorëve nuk e respektojnë kohën e orës së mësimit, sidomos fillimin dhe fundin e orës nuk e respektojnë fare, pothuajse gjithmonë vonohen dhe dalin më herët, para se ora e mësimit të kryhet, si dhe një pjesë të kohës gjatë mësimit, e shfrytëzojnë për të folur në telefon”.
Për më keq të rinjtë në Kosovë kanë humbur besimin tek institucionet e Kosovës. Ata kishin theksuar se problemet e tyre vështirë se do të mund të zgjidhen nga institucionet kompetente.
Brikena Rexhepi, studente në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, vlerëson që institucionet e larta të Kosovës nuk kanë bërë asgjë për të rinjtë dhe rrjedhimisht, besimin në to, ajo e ka të zbehur.
“Jo edhe aq, sepse nuk kanë bërë diçka për ne, nuk ka vende pune. Nuk po shoh që po bëjnë diçka të mirë për ne, për rininë, për vendin tonë, por vetëm për interesa të veta. Unë kështu mendoj”, kishte theksuar Brikena.
Dhe, në fund mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës për vitin 2016, nxiti edhe më shumë reagimin e të rinjve në Kosovë.
Ata thonë se po vazhdojnë të ndihen të izoluar nga vendet e Bashkimit Evropian, organizatë kjo, në të cilën Kosova mëton të integrohet dhe anëtarësohet.
Vigan Mehmeti, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se pamundësia e lëvizjes së lirë nëpër vendet e Schengen-it, të rinjtë e Kosovës i privon nga shumë përvoja.
“Të vizitosh ndonjë vend tjetër, të shikosh se si zhvillohet puna atje, të arrish ndonjë përvojë, të studiosh. Keq që e kanë shtyrë (liberalizimin e vizave). Është dashur t’u rrinë gati këtyre gjërave, por nëse vazhdojnë kështu, nuk do të ketë (liberalizim vizash), pa i ndrequr raportet që janë brenda Kosovës”, thekson Vigani.
Sidoqoftë, të rinjtë presin që gjatë vitit 2016, institucionet e Kosovës të punojnë në drejtim të hapjes së vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, si dhe ngritjen e cilësisë në arsim.