Rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës, të regjistruar në diasporë

Ilustrim

Në procesin e deritanishëm të regjistrimit të diasporës janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Ndërkohë që procesi i regjistrimit është bërë e ditur se do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016.

Këto të dhëna janë bërë publike të enjten gjatë një konference për media të ministrit të Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati.

“Gjatë këtij viti kemi arritur të regjistrojmë rreth 200 mijë bashkatdhetarë, e gjithë kjo është bërë falë fushatës tre mujore “Ti je pjesë e atdheut”. Puna e madhe e bërë në këtë vit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, deri në publikimin përfundimtar të shifrave të detajuara të diasporës, gjatë vitit 2017”, ka bërë të ditur ministri Murati.

Ndryshe, qëllimi i regjistrimit të diasporës është evidentimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike, shtetet ku jeton dhe vepron diaspora e mërgata, si dhe regjistrimi i shoqatave dhe formave të tjera të organizimit të tyre.

Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova.

Ministri Murati regjistrimin e diasporës, i cili ka filluar qysh nga dhjetori i vitit 2013, e ka quajtur një proces të vështirë, por të arritshëm.

“Nga viti i ardhshëm në procesin e regjistrimit të diasporës do të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat në mënyrë që bashkatdhetarët tanë të kenë mundësi që të regjistrohen aty".

"Po ashtu është edhe një letër qarkore nga Ministria e Punëve të Jashtme që i njofton ambasadat dhe konsullatat që të jenë në shërbim të regjistrimit të diasporës dhe gjithashtu do të përqendrohemi tek regjistrimi online”, ka treguar Murati.

Ndryshe, nëpër strategji e dokumente të ndryshme të autoriteteve të Kosovës, vlerësohet se një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë territorit të saj.

Derisa, sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri Murati ka folur edhe për investimet e diasporës në Kosovë.

Ai ka treguar se me inicimin e Ministrisë së Diasporës janë themeluar 20 rrjete të bizneseve ne diasporë, të cilat kanë krijuar një strukturë të përbashkët, konkretisht rrjetin e përbashkët të bizneseve shqiptare në diasporë.

“Bizneset nga diaspora tash në Kosovë janë biznese shumë serioze. Gjatë muajit tetor kam vizituar 15 biznese nga diaspora të cilat kapitalin e tyre e kanë shtrirë në Kosovë, dhe këto biznese jo vetëm që po japin një përvojë të re në Kosovë, por janë edhe biznese të cilat janë të orientuar në prodhim apo në shërbime të cilësisë së lartë dhe drejt eksportit”, ka shtuar Murati.

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë migruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.