Kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, e kanë kritikuar kandidatin udhëheqës të republikanëve, Donald Trump, për thirrjen e tij për ndalesën e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se Donald Trump është “rekrutuesi më i madh për IS-in”, raporton BBC.
Kandidati Bernie Sanders, ka kërkuar falje nga rivalja Hillary Clinton për shkak se ekipi i tij kishte vjedhur të dhëna të vlefshme votuese nga ekipi i fushatës së zonjës Clinton.
“Kjo nuk është mënyrë e fushatës që ne e zhvillojmë”, tha Sanders gjatë debatit të kandidatëve presidencialë demokratë, mbrëmë vonë në Mançester të Nju Hempshirit.
Të dy këta kandidatë janë përplasur lidhur me Sirinë, derisa Sanders e ka akuzuar zonjën Clinton se ishte mbështetur në ndërrimin e regjimit, ajo theksoi se duhet lidership i Shteteve të Bashkuara.
“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk udhëheqin, atëherë nuk ka lider tjetër, ekziston vakuum”, tha Clinton.
Sanders, nga ana tjetër, ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara së pari duhet të koncentrohen që t’i shkaktojnë disfatë grupit militant, Shteti Islamik.
Në debat ka marrë pjesë edhe guvernatori i Merilendit, Martin O’Malley.
Konsiderohet se Hillary Clinton mbetet në pozitë udhëheqëse në mesin e kandidatëve demokratë.