Gjendja sociale, rrit remitencat

Ilustrim

Gjatë këtij viti janë rritur dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës deri në muajin shtator, vlera e tyre ka arritur në 566 milionë euro apo 12 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Republika e Kosovës konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të migrantëve.

Janë mbi 22 për qind e familjeve që pranojnë para nga të afërmit e tyre, e që në shumicën e rasteve shfrytëzohen për konsum ditor.

Në mesin e kësaj përqindjeje është edhe familja gjashtë anëtarëshe e Arianit Gashit, student në Universitetin e Prishtinës.

Ai tregon se babai i tij që 13 vite me radhë punon në Gjermani dhe të gjitha kërkesat dhe nevojat e familjes mbulohen nga paratë që dërgon ai.

“E gjithë familja varemi nga paratë e babait. Unë jam student dhe nuk punoj. Kështu që për çdo shpenzim të nevojshëm paratë i dërgon babi. Për familjen time edhe gjatë këtij viti shuma e mjeteve ka qenë përafërsisht e njëjtë me vitin e kaluar”, ka thënë Arianiti.

Kushtet e rënda socio-ekonomike në Kosovë në një mënyrë obligojnë qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet e ndryshme të botës të dërgojnë para për familjet e tyre, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se shuma e dërgesave varet edhe nga gjendja ekonomike e atij shteti ku jetojnë qytetarët e Kosovës, por edhe gjendja e anëtareve të familjeve të tyre në Kosovë.

“Sa më e keqe që është gjendja ekonomike në Kosovë, si rrjedhojë familjet e atyre që iu dërgojnë remitanca janë në gjendje të vështirë, ata në një farë mënyre janë të detyruar të dërgojnë mjetet te familjet e tyre".

"Kemi një rritje të remitencave dhe them se është e lidhur me këto arsye duke i dhënë më shumë përparësi gjendjes ekonomike të shteteve nga vijnë dërgesat”, tha Krasniqi.

Sipas shifrave zyrtare, remitencat që pranohen në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 36.3 përkatësisht 22.1 për qind të gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

Por, Krasniqi, shpreh shqetësimin se dërgesat ende nuk kanë arritur të shfrytëzohen për ndonjë investim, por vetëm për konsum ditor apo, siç thotë ai, për të mbijetuar familjet e atyre që janë të varur nga remitencat.

“Do të ishte mirë që të ishte ndryshe, që këto remitenca mos të shfrytëzohen vetëm për konsum por të kanalizoheshin edhe në investime, që në këtë mënyrë të përfitonin edhe familjet të cilat varen nga to, por njëkohësisht edhe ata që dërgojnë mjete nga shtet e Bashkimit Evropian."

"Këtu mungon një strategji nga qeveria që të kanalizojë dhe tu ofrojë mundësi që këto remitenca të investohen dhe jo të përdoren për konsum ditor”, tha Krasniqi.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve do të ishte orientimi i tyre në investime në sektorë të ndryshëm në Kosovë, në hapjen e bizneseve familjare, e që rrjedhimisht do të mundësonte punësim dhe zbutje të varfërisë.

"Orientimi i dërgesave në investime, në zhvillim do të ishte shumë i logjikshëm pasi do të mundësonte zbutjen në aspektin social për një periudhë të gjatë, konkretisht zvogëlimin e shkallës së papunësisë dhe varfërisë. Por, këto ndihma sa për të ekzistuar nuk kanë ndonjë perspektivë të gjatë”, ka thënë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ndër të tjera thuhet se përveç familjeve edhe aktiviteti ekonomik në nëntë muajt e parë të vitit 2015 është mbështetur nga dy burime të rëndësishme të rritjes ekonomike në vend, remitencave dhe investimeve të huaja.