Në adresimin e saj vjetor, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se po i drejtohet Kuvendit të Kosovës në kohën kur këtë institucion e ka kapluar një krizë e paparë politike.
Ajo ka ftuar qeverinë dhe opozitën që me urgjencë të ulen dhe të nisin dialogun për tejkalimin e krizës së krijuar.
Kjo krizë, sipas saj, ka sfiduar rëndë konsensusin politik vendor e ndërkombëtar, mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës. Këto zhvillime, ka vlerësuar Jahjaga, sfiduan rëndë edhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Presidentja Jahjaga, i rikujtoi deputetët se Kuvendi u shndërrua në një skenë të dhunës. Ajo i ftoi partitë politike të heqin dorë nga interesat e ngushta për të mbrojtur interesin e vendit.
Tash e tre muaj me radhë, subjektet politike në opozitë vazhdojnë ta pengojnë mbajtjen e seancave, kryesisht me hedhje të gazit lotsjellës, në shenjë kundërshtimi me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë mbi ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë anulimin e këtyre marrëveshjeve, ndërkaq Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë këto kërkesa, duke e ftuar opozitën që çështjet e kontestueshme për të t'i diskutojë në Kuvend.
Si presidente e vendit, Jahjaga tha se i ka ftuar në vazhdimësi partitë politike në pushtet dhe opozitë në dialog për tejkalimin e gjendjes, por çdo herë kishte hasur në rezistencë apo ishte refuzuar e kushtëzuar.
"Asnjëra palë nuk do të korrë fitore dhe dhunën nuk do ta shndërrojmë në mjet politik", ka porositur Jahjaga.
Zgjidhja e problemeve, ka thënë presidentja, është vetëm te dialogu dhe asnjë formë tjetër.
Jahjaga ka sugjeruar opozitën se pavarësisht qëndrimeve kundërshtuese në lidhje me marrëveshjen për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, i vetmi organ që mund ta bëjë interpretimin e parimeve të kësaj marrëveshjeje është Gjykata Kushtetuese.
Kurse, në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, ajo tha se formimi i një komisioni 'ad hoc' do të ishte zgjidhje e paqartësive të krijuara.
Kriza dhe zhvillimet dramatike, ka nënvizuar Jahjaga, po i humbin shumë kohë të çmueshme Kosovës dhe po e lëkundin besimin te miqtë ndërkombëtar, pa të cilët konsolidimi i mëtejshëm i shtetit të Kosovës do të jetë i pamundur.
Në pjesën tjetër të adresimit, Jahjaga ka folur edhe në lidhje me vazhdimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
Kurse në lidhje me mosdhënien e rekomandimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizim vizash për qytetarë e Kosovës, Jahjaga tha se as ajo nuk mund ta fsheh dëshpërimin.
Presidentja tha po ashtu se Kosova ka përmbushur anën e vet të rekomandimeve, sado që ndonjë rekomandim ka mund të mbetet i papërmbushur.
Partitë opozitare - Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën - kanë braktisur sallën e Kuvendit, duke mos përcjellur fjalimin e presidentes.