Bosnja arreston një të dyshuar për krimet në Srebrenicë

Srebrenica

Autoritetet në Bosnje sot e kanë arrestuar ish-komandantin e policisë serbe, i cili dyshohet për pjesëmarrje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Ish-komandanti, Milan Bogdanoviç, tashmë 65 vjeçar, sipas një komunkate të lëshuar nga prokuroria, u arrestua nën dyshimin se ka marrë pjesë në grupin kriminal i cili i kishte ekzekutuar rreth 8 mijë burra dhe djemë dhe i kishte dëbuar mbi 40 mijë civilë myslimanë nga Srebrenica.

Gjatë masakrës, Bogdanoviç e kishte komanduar një njësi policore që ishte ngarkuar me arrestimin e myslimanëve të Srebrenicës.

Burrat e arrestuar, sipas prokurorisë, ishin tubuar në një lëdinë në Nova Kasaba në afërsi të Srebrenicës.

“Rreth 500 nga këta burra i ishin dorëzuar policisë ushtarake dhe ata ishin dërguar në vendet e ekzekutimit”, thuhet në komunikatë.

Anëtarët e njësisë së Bogdanoviçit, sipas prokurorisë, kanë marrë pjesë në ekzekutimin dhe në varrimin e dhjetëra të burgosurve.

Përveç Milan Bogdanoviç, prokuroria e Bosnjes sot ka njoftuar se e ka akuzuar edhe ish-oficerin Srecko Aqimoviç, i dyshuar për përfshirjen e tij në ekzekutimin e më shumë se 1 mijë viktimave në masakrën e Srebrenicës.

Aqimoviç, i arrestuar më 1 dhjetor, akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e së paku 1 mijë e 40 burrave dhe djemëve.

Krimet janë kryer nga 14 deri më 16 korrik të 1995-tes, në një fshat që gjendet rreth 70 kilometra nga qyteti i Srebrenicës.

Prokurorët thonë se Aqimoviç i kishte siguruar kamionët për transportimin e të burgosurve dhe personalisht vetë e kishte zgjedhur vendin e ekzekutimit të tyre.

Rreth 8 mijë burra myslimanë janë vrarë në Srebrenicë derisa në tërësi, lufta në Bosnje ua ka marrë jetën rreth 100 mijë personave.