Gruevski dëshmon prapa dyerve të mbyllura

Nikolla Gruevski para se të japë dëshminë

Pas një debati të ashpër mes antarëve të Komisioni Anketues në Parlamentin e Maqedonisë, për shqyrtimin e materialeve nga bisedat e përgjuara, të prezantuara nga opozita maqedonase, Komisioni ka vendosur që megjithatë dëshmia e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, të behet pas dyerve të mbyllura.

Petre Shilegov,i cili drejton komisionin anketues në Parlament ka kërkuar që gazetarët të dalin nga salla ku mbahej seanca, duke sqaruar se kryeministri Nikolla Gruevski, paraprakisht përmes një letre ka kërkuar që dëshmojë pa praninë e mediave.

“Synohet që të krijohet një skenar që faji t'i adresohet Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë se nuk arrin të funksionojë komisioni anketues, andaj e lë në ndërgjegjen e dëshmitarit pse dëshiron që dëshminë e tij ta fshehë nga opinioni dhe do të veprojmë në bazë të kërkesës së kryeministrit Nikolla Gruevski që mbledhja e komisionit anketues të jetë e mbyllur”, ka theksuar kryetari i komisionit anketues, Petre Shilegov.

Zoti Gruevski është asyetuar se vepron në bazë të rregullores së punës së Komisionit në fjalë dhe se dëshiron që dëshmitë t`i paraqesë në një atmosferë më të qetë.

“Kam ardhur këtu sot që t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve të cilat do të më parashtrohen nga ana e Komisionit Anketues. Unë veproj në bazë të rregullores që në një atmosferë të qetë t`u përgjigjem të gjitha kërkesave të komisioni”, është shprehur kryeministri Nikolla Gruevski para dëshmisë.

Por, analistët politikë thonë se gjithçka do të jetë e kotë..

“Përse me dyer të mbyllura? Insistohet të punohet me dyer të mbyllura që fajësia, pëkatësisht asgjë të mos dalë në shesh është argumenti që më së shumti në këtë rast i shërben kryeministrit Nikolla Gruevski".

"Prandaj, një gjë të këtillë komisioni në fjalë nuk duhet ta pranojë, sepse në këtë mënyre krijohet mundësi të amnistohet Gruevski dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë”, thotë Alajdin Demiri, analist politik.

Ndryshe, kryeministri Nikolla Gruevski është i pari që i është përgjigjur ftesës së komisionit anketues për të dëshmuar. Paraprakisht, asnjë nga të ftuarit - bashkëpunëtorë të ngushtë të zotit gruevski - të cilët i kishte thirrë komisioni në fjalë, nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi rreth materialeve të përgjuara, të cilat i ka bërë publike opozita maqedonase.

Komisioni anketues për përgjimet, i cili drejtohet nga opozita ka për detyrë të hartojë një raport pë aferën e përgjimeve dhe është formuar në bazë të rekomandimeve të cilat dolën ga marrëveshja politike e qershorit dhe korrikut, e të cilën e ka firmosur lidershipi politik në Maqedoni, nën tyrsninë e faktorit ndërkombëtar.