E drejta pronësore e gruas, kryesisht "veç për letra"

Ilustrim

Pjesëtaret e gjinisë femërore në Kosovë, jo shpesh i gëzojnë të drejtat pronësore, pasi shumica e pronave janë të regjistruara në emër të meshkujve.

Edhe pse gjysma e popullatës së përgjithshme në Kosovë përfaqësohet nga gjinia femërore, sipas statistikave zyrtare, vetëm mbi 16 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të femrave.

Murat Meha, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se me qëllim të inkurajimit të femrave për të gëzuar këtë të drejtë, çështjen e regjistrimit të pronës në emër të gjinisë femërore e kanë vënë prioritet në këtë agjenci.

"Tani pronën e regjistruar në emër të gjinisë femërore e kemi mbi 16 për qind. Atë e përcjellim çdo ditë, i inkurajojmë edhe përmes projekteve për regjistrimin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme, siç janë projektet që jemi duke zhvilluar të Bankës Botërore, në 50 zona kadastrale, në 10 komuna".

"Kjo vazhdon të jetë e tillë. Prandaj, deri më tani jemi të kënaqur me progresin e arritur, por duhet të kemi parasysh që ne nuk mund ta obligojmë askënd, por mund të inkurajojmë, të informojmë”, ka thënë Meha.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se në shumicën e rasteve prona e paluajtshme regjistrohet në emër të gjinisë femërore për interesa të ngushta familjare.

Problemet e shumta në këtë rrafsh, kanë detyruar organizatën joqeveritare “Aureola“ që të zhvillojë një hulumtim për këtë çështje, publikimi i të cilit pritet shumë shpejtë.

Drejtoresha ekzekutive në këtë organizatë, Sanije Grajçevci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjinia mashkullore duhet të vetëdijesohet se regjistrimi e pronës në emër të nënës, gruas apo motrës nuk falet, por është diçka që u takon në bazë ligjore.

“Ka gra të cilat e gëzojnë pronën, por për ne kjo nuk është e kënaqshme, pasi kryesisht kemi hasur në raste që, për të marrë ndonjë kredi apo për t'u liruar prej tatimeve, pronat regjistrohen në emër të tyre, dhe jo pse u takon”, tha Grajqeveci.

E drejta në pronë është e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjeve ekzistuese në fuqi. Por, në shumë raste, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, tradita sfidon ligjet.

Arianit Morina, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, pohon se regjistrimi i pronave të paluajtshme, varet edhe nga mentaliteti i familjes në të cilën jeton gruaja.

“Prona e paluajtshme duhet të regjistrohet edhe në emër të grave. Por, sidoqoftë kjo varet edhe nga traditat që kanë familjet ku jetojnë gratë”, thotë Arianiti.

Pavarësisht asaj se a regjistrohen pronat e paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve, me rastin e marrjes së ndonjë kredie në bankat komerciale dhe lënies në hipotekë të pronës se paluajtshme, të dy bashkëshortët janë të obliguar të nënshkruajnë për atë pronë.

Ky veprim i bankave, sipas Murat Mehës, duhet të shfrytëzohet si vetëdijesim i femrave se prona duhet të jetë e regjistruar në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve dhe jo vetëm për raste të caktuara.