Kusuri i pakthyer prej 1 e 2 centësh

Ilustrim

Rreth 50 milionë euro në vit është vlera nga moskthimi i kusurit në monedha të imëta prej 1 cent e më shumë, thonë përfaqësues të konsumatorëve.

Kjo për faktin se pothuajse në të gjitha dyqanet tregtare, shërbyese, por edhe kompanitë e Telekomit në Kosovë, shumica e çmimeve të produkteve përfundojnë me shifrat 99 centë. Por, 1 centët e mbetur rrallë herë kthehen te konsumatori.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, duke shpjeguar hulumtimin e kësaj organizate, thotë se përfundimi i çmimeve me 99 centë bëhet për shkak të përfitimeve të bizneseve.

“Ne pretendojmë se afër 2 milionë banorë të Republikës së Kosovës, për 30 ditë brenda muajit i realizojnë rreth 3 miliardë veprime dhe çdo veprim e kemi vlerësuar në vlerë 1 cent e pak. Nga ky vlerësim neve na ka dalë se 50 milionë euro janë të manipuluara apo të “abuzuara” gjatë një viti", tha Kaçaniku.

Edhe qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, pohojnë se me rastin e blerjes, nuk u kthehen paratë e imëta nga dyqanet. Në disa raste, në vlerë të kusurit, ata thonë se shërbehen me produkte të ndryshme.

Një qytetar nga Mitrovica, Burim Krasniqi, i cili blinte produkte në njërën nga qendrat tregtare në Prishtinë, tregon se asnjëherë nuk merr kusur nga 1 deri në katër centë, por rrallë edhe 5 centë.

“Rrallë marr kusur, madje edhe 5 centë, qendrat tregtare mund të kthejnë, dyqanet e vogla jo. Edhe pse unë i kërkoj, por nuk kanë, dhe në vlerë të tyre më shërbejnë me çamçakëz dhe çokollada” .

Ngjashëm thotë edhe studentja e Fakultetit Ekonomik, Donika Berisha.

"Jo asnjëherë nuk i kthejnë centët. Edhe kur t'i kërkosh thonë se nuk kanë", tha ajo.

Në anën tjetër, Beqiri është pronar në një dyqan në Prishtinë. Ai madje konsideron se furnizimi i arkës së tij me monedha të imëta nuk është i domosdoshëm.

Sipas tij, edhe konsumatorët nuk i kërkojnë apo në raste të caktuara nuk pranojnë t'i marrin paratë e veta.

"Shumë herë mund të them se nuk janë të domosdoshme dhe nuk na hyjnë në funksion shumë. Ne kemi artikuj të imët që mund të kompensojmë atë vlerë. Por, edhe vetë konsumatorët nuk janë insistues të marrin paratë e veta”.

Por, Selatin Kaçaniku, thotë se moskthimi i kusirit, nga ana e bizneseve, është e jashtligjshme. Ai madje thotë se nuk vërehet ndonjë përpjekje e autoriteteve kompetente për të zgjidhur këtë cështje.

“Të gjitha bizneset e kanë obligim ligjor, profesional, por edhe etik, që qytetarit t'ia kthejnë komplet kusurin, pavarësisht a bëhet fjalë për 2, 3 centë apo edhe më pak”, tha Kaçaniku.

Ndryshe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është kompetente për sigurimin e një furnizimi të duhur të ekonomisë me kartëmonedha dhe monedha euro/centë.

Zyrtarë në këtë institucion, në një përgjigjje përmes postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se Banka Qendrore e Kosovës, ka sasi të mjaftueshme dhe furnizon vazhdimisht tregun me monedha metalike.

Besnik Kada, zëdhënës në këtë institucion, ka thënë se furnizimi i bankave komerciale me monedha nga BQK-ja bëhet duke u bazuar në kërkesat që kanë këto të fundit për sasinë e monedhave, pasi bankat janë drejtpërdrejtë të ndërlidhura me ndërmarrjet, bizneset dhe qytetarët.

Në periudhën janar-qershor të këtij visit, sipas zotit Kada, bankat komerciale janë furnizuar me mbi 1.42 milionë copë monedha euro, të të gjitha denominimeve, prej të cilave mbi 1.3 milionë cop [92%] kanë qenë të denominimeve 5, 2 dhe 1 cent.