Mosmiratimi eventual i projekt-buxhetit të Kosovës për vitin 2016, në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, mund të ketë ndikim në marrëveshjen e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar..
Shefi i Zyres së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se marrëveshja e FMN-së me Kosovën nuk do të kalojë pa pasoja në rast të mosmiratimit të projekt-buxhetit të Kosovës.
Ai ka theksuar se janë në bisedime me të gjithë akterët, sidomos me qeverinë që të sigurohen se buxheti do të miratohet në kohën e paraparë në mënyrë që marrëveshja të procedohet në takimin e bordit të caktuar për datën 21 dhjetor.
“Por, nëse buxheti për vitin 2016 nuk kalon me kohë, kjo për ne nënkupton që nuk do të procedojmë tutje në bord me vlerësimin e programit të parë sipas orarit të përcaktuar", ka thënë Vermeulen.
Pasojat e vonesave, sipas tij, do të jenë shtyerja tutje e bisedimeve se çfarë mund të bëhet në të ardhmen, ngase kjo nuk do të nënkupton anulimin apriori të programit apo rrezikimin e raporteve me FMN-në.
Ai ka shtuar se nëse Kosova dështon që të zë hapin më 21 dhjetor, atëherë takimi i radhës së bordit parashihet të ndodh dikund gjate janarit të vitit 2016.
Megjithatë, ai ka theksuar se bazuar në kontaktet me qeverinë, ka informacione se ka ende gjasa që të respektohen oraret e parashikuara dhe buxheti të miratohet.
Republika e Kosovës në muajin qershor kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej rreth 185 milionë eurosh, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, siç thuhet, për realizimin e disa projekteve kapitale, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ardita Dushi, këshilltare politike për media e ministrit të Financave Avdullah Hoti, është shprehur e bindur se projekt-buxheti i Kosovës për vitin 2016 do të miratohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.
“Ministria e Financave, Qeveria dhe Kuvendi janë shumë të përkushtuar që projekt-buxheti të aprovohet në kohë, ashtu siç kërkohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, dhe ne presim që kjo të ndodhë javën që vjen”, ka theksuar Dushi.
Derisa, sa i përket kredisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Dushi ka theksuar se qëllimi dhe objektivi kryesor i hyrjes në program është implementimi i një sërë reformash ekonomike, fiskale e financiare, që janë prioritet i Qeverisë.
Ndryshe, projekt-ligji për buxhet që kap vlerën prej 1 miliard e 680 milionë dhe që është në harmoni më FMN-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe në parim është miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Partitë politike opozitare tashmë kanë deklaruar se nuk do të votojnë projekt-buxhetin dhe nuk do të lejojnë zhvillimin normal të jetës parlamentare përderisa kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të mos i anulojnë marrëveshjet me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike kanë theksuar se për shkak të stabilitetit financiar dhe marrëveshjes ndërkombëtare, projekt-buxheti duhet të votohet nga deputetet në periudhën e paraparë.