Soufan Group: Nga Ballkani, janë 875 luftëtarë të huaj

Militantë në Aleppo të Sirisë, foto arkivi

Në qershor të vitit 2014, Grupi Soufan [TSG] pati publikuar një raport mbi luftëtarët e huaj në Siri, i cili kishte identifikuar rreth 12,000 luftëtarë të huaj nga 81 vende. Sot, 18 muaj më vonë, në raportin e fundit të këtij grupi thuhet se numri i luftëtarëve të huaj, të cilët i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamikdhe grupeve tjera salafiste në Siri dhe Irak, sillet nga 27,000 deri në 31,000 dhe vijnë nga 86 vende të ndryshme botërore.

Prej tyre, 875 thuhet se vijnë nga shtetet e Ballkanit; rreth 800 prej tyre nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Në Kosovë, TSG vlerëson se të dhënat zyrtare numrin e vënë në 232 aktualisht, në Shqipëri 90, në Bosnjë e Hercegovinë 330 dhe në Maqedoni 146.

“Në qershor të vitit 2014, ka pasur relativisht pak informacion për numrin e militantëve të cilët kanë udhëtuar nga Ballkani për në Siri, duke e bërë të vështirë përcaktimin e rritjes proporcionale të luftëtarëve nga ky rajon".

"Megjithatë, bazuar në të dhënat aktuale, duket se numri i luftëtarëve të huaj nga vendet e Ballkanit është dyfishuar, në mos trefishuar, që nga qershori i vitit 2014”, thuhet mes tjerash në raportin e Grupit Soufan.

Nga vendet e Evropës Perëndimore thuhet se numri i lufëtarëve të huaj në Siri dhe Irak arrin në 5,000, nga ish republikat sovjetike 4,700, nga Amerika veriore 280, nga Maghrebi 8,000, nga Lindja e Mesme 8,240 dhe nga Azia juglindore 900.

Grupi Soufan është një institut hulumtimesh, i cili ofron shërbime mbi strategjitë e sigurisë për qeveri të ndryshme në botë dhe organizata shumëkombëshe.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë të TSG-së. [a.v.]