Opozita kërkon rrëzimin e qeverisë, protestuesit godasin ndërtesat qeveritare

Foto nga protesta

Nën organizimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare në Shqipëri, në sheshin qendror të Tiranës u zhvillua një protestë, në kërkim të rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama.

Tubimi ka qenë paqësor përpara Kryeministrisë, por situata është rënduar përpara ambienteve të Ministrisë së Brendshme, aty ku është ndërtuar një bunker, i ngritur si simbol i anti-komunizmit, pjesë e një projekti për të hapur për publikun tunelet e nëndhenshme të ndërtuara gjatë kohës së diktaturës.

Ish të përndjekurit politikë nuk kanë qenë dakord me këtë simbol, dhe kryetari i tyre u bëri thirrje protestuesve që ta heqin monumentin prej andej. Protestuesit kanë ndezur zjarr brenda bunkerit, e në përpjekje për ta shkulur atë, janë dëmtuar edhe godinat përreth, pasi protestuesit kanë thyer xhamat e dritareve.

Pamje nga protesta

Gjithashtu flakë ka marrë edhe skela e vendosur rreth ministrisë së Brendshme, pasi kjo godinë, është në rindërtim.

Në ambientet ku po shkulej bunkeri simbol i antikomunizimit, të pranishëm ishin edhe eksponentët më të lartë të Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha dhe ish kryemnistri Sali Berisha.

Edhe gjatë fjalimeve të përfaqësuesëve të opozitës, përpara kryeministrisë ka patur disa incidente të vogla. Disa prej protestuesëve janë shoqëruar në polici, pasi kanë thyer kordonin e policisë. Ndërkohë është goditur me vezë dhe baltë godina e kryeministrisë. Gjithashtu janë ndezur edhe disa tymuese me ngjyra, janë shkulur pllaka nga bulevardi, me të cilat është goditur drejt ndërtesës së kryeministrisë, por policia i ka lokalizuar këto incidente.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij, ka bërë thirrje për mosbindje civile.

“Kjo qeveri, duhet larguar, sepse ajo rrënoi shqiptarët. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të lira e të ndershme, por kjo arrihet duke rrëzuar këtë qeveri, e duke patur një qeveri teknike”, tha ai, për të shtuar se “qeveria e dogji mandatin e saj brenda dy viteve".

"Ata nuk ndalen nëse nuk i ndalim ne.”

Kryeministri Rama ndërkaq, në rrjetin social Facebook, i ka cilësuar pamjet e sotme në sheshin qëndror të Tiranës si "shëmti e trishtueshme".

"...mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD-në e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnje xham".

Qëllimi i protestës së opozitës ishte, siç u tha, një reagim qytetar, "për rrëzimin e qeverisë me protestë paqësore, e cila nis sot, por edhe mund të vazhdojë në ditët në vazhdim, duke shpënë në mosbindje civile".

Sipas organizatorëve, "do të jetë një qëndresë paqësore ajo që do të detyrojë qeverinë të tërhiqet dhe të cojë në krijimin e një qeverie teknike, e cila do të shpjerë vendin në zgjedhje të parakohshme".

Ndryshe, kjo protestë zhvillohet në 25 vjetorin e nisjes së lëvizjes studentore në Shqipëri, që solli rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e sistemit pluralist.

Ndërkohë, rreth orës 10.00 të paradites, presidenti i Republikës, Bujar Nishani organizoi një konferencë ndërkombëtare me titull "Shqipëria dhe Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, ku ishin të pranishëm të gjithë krerët më të lartë të vendit.

Gjatë kësaj Konference, u përcollën mesazhet e urimit nga Papa Françesku, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.