Maqedoni: Familjet shqiptare, hallkë shpëtimi për hebrenjtë

Ekspozitë me dokumente për rolin e shqiptarëve të Maqedonisë në mbijetesën e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore.

Copëza nga rrëfimet e familjeve hebraike të Maqedonisë, të dokumentuara në 34 fotografi, për herë të parë ekspozohen në Qendrën Memoriale të Holokaustit në Shkup, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, Institutin Kombëtar të Historisë Maqedonase, si dhe me mbështetjen përfaqësive diplomatike, atë amerikane dhe gjermane në Shkup.

Fotografi të familjeve shqiptare nga Maqedonia, që ishin hallkë shpëtimi për komunitetin hebre derisa ata arrinin në Shqipëri, janë ekspozuar në formë të dokumentevetë certifikuara edhe nga autoritet zyrtare të shtetit shqiptar gjatë viteve të dyzeta të shekullit të kaluar.

“Duke përkujtuar Holokaustin, rishtas kthehemi dhe i përkujtojmë ethet e historisë së hebrenjve dhe ia transferojmë ato gjeneratës së tanishme dhe të ardhshme, me porosinë e ndërgjegjshme: të tërheqim vëmendjen që e kaluara të mos përsëritet askund asnjëherë në të ardhmen”, tha kryetarja e Komunitetit Hebre në Maqedoni, Berta Romano-Nikoloq.

Ndërkaq, drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skënder Asani, thotë se mungesa e shqiptarëve të Maqedonisë në institucione, ka bërë që, siç e quan ai, dora e vetme e shpëtimit për familjet hebraike, ajo e esnafëve shqiptarë kur bëhet fjalë për këtë pjesë tëhistorisë, për shtatëdhjetë vjet të mbetet në harresë.

“Gjatë 70 vjetëve të fundit, kjo çështje asnjëherë nuk është hapur. Kjo bëri që ne si institucion shkencor të ndjejmë për obligim që ato ngjarje që i kishte mbuluar historia dhe koha, t’i nxjerrim në dritë. Fillimisht hymë për të hulumtuar në arkivin e Maqedonisë dhe arkivin e shtetit në Shqipëri dhe nxorëm në pah se si është shpëtuar popullata hebraike, format dhe mënyrat”.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes katër institucioneve, filluan të paraqiten dhe rrëfimet e ndryshme të familjeve shqiptare që kanë ndihmuar... Po edhe e kundërta, familjet hebraike na kanë rrëfyer për mënyrën se si ishin shpëtuar - rrëfime këto të cilat kishin mbetur të pazbardhura deri më tani”, tregon Asani.

Ramadan Meliqi , rrëfen për Radion Evropa e Lirë, se si fëmijë, gjatë vitit 1943, mban mend familjen hebreje Fransis, e cila për një kohë ka qenë e strehuar në familjen e tij dhe më pas babai i tij, Veli Meliqi, në emër të besës së dhënë, i ka dërguar në Shqipëri. Atje familja Fransis ka qenë më e sigurt.

Veli Meliqi, strehues i një familjeje hebreje

“Katër anëtarët e familjes Fransis, i ka marrë baba nga shtëpia këtu në Shkup dhe i ka dërguar deri te shtëpia jonë, të cilën e kemi pasur në Han të Elezit. Aty ata mbërritën në mëngjes, ku edhe kanë bujtur, kanë tharë rrobatsepse ishin lagur nga rrjedha e lumit Lepenc".

"Baba i ka mbajtur në shpinë, sepse lumi kishte ardhur me vrull në atë mars dhe kuajt s`kanë mundur të tërheqin karrocën kështu që fëmijët hebrenj të kësaj familjeje baba i ka bartur në shpinë një nga një”, veçon copëza kujtimesh Ramadan Meliqi, rreth të tetëdhjetave, i cili në atë kohë ka qenë më pak se dhjetë vjeç.

Ndërkohë, drejtori i Qendrës Memorialetë Holokaustit në Shkup, Goran Sadikario, konsideron se fati tragjik i hebrenjve, mund të shërbejë si leksion për të tashmen dhe të ardhmen, që t`i thuhet ndal së keqes.

“Asgjësimi fizik i 98 për qind të hebrenjve në Maqedoni, filloi më 11 mars të vitit 1943, datë fatale kjo për të gjithë hebrenjtë në Maqedoni. Në këtë datë, nga Shkupi u nisën 7,144 hebrenj në Treblinkë".

"Por, edhe gjatë kësaj pjese të errët të historisë mësojmë se ka pasur rreze drite kur familje të caktuara rrezikuan sigurinë e tyre dhe strehuan dhe njëherësh ndihmuan familjet hebraike për të arritur në Shqipëri. Kjo na mëson se njeriu di të jetë human në momente kur është në rrezik edhe jeta e tij”, shprehet Sadikario.

Dokumente të prezantuara në ekspozitë

Ndryshe, duke iu referuar të dhënave të evidencës së autoriteteve të atëhershme okupuese bullgare dhe gjermane, në Maqedoni, më 11 mars të vitit 1944 janë arrestuar 7,144 hebrenj (që përbën 98 për qind të popullsisë hebraike në atë kohë) nga të gjitha pjesët e vendit.

Të arrestuarit janë mbledhur nëMonopolin e Shkupit, ku kanë qëndruar deri në fund të muajit mars në kushte ekstreme të rënda higjienike dhe psikologjike.

Prej Shkupit ata janë dërguar në Poloninë e atëhershme të okupuar, në kampin “Trebinka”, ku janë ekzekutuar. Asnjëri nga të arrestuarit nuk është kthyer.

Dëshmitë e fundit, përmes dokumenteve të ekspozuara në Qendrën Memoriale të Holokaustit në Shkup, nxjerrin në pah se ajo pjesë e popullatës prej 2 për qind, është shpëtuar falë guximit kryesisht të familjeve shqiptare, të cilat i kanë strehuar dhe njëkohësisht kanë ndihmuar në transferimin e tyre në Shqipëri.