Bizneset "kushtëzojnë" MSA-në me liberalizim vizash

Ilustrim

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mund të jetë i suksesshëm për sektorin e biznesit vetëm nëse fillon liberalizimi i vizave, thonë përfaqësues të bizneseve dhe afaristë kosovarë.

Ata thonë se me nënshkrimin e MSA-së dhe me mosliberalizim të vizave, bizneset nuk do të arrijnë që të lëvizin lirshëm në mënyrë që të gjejnë partnerë për bashkëpunim në vendet e Bashkimit Evropian.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, pa e anashkaluar rëndësinë e marrëveshjes së MSA-së, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se të gjitha përparësitë që sjellë për komunitetin e biznesit kjo marrëveshje, do të jenë vështirë të realizohen nëse në një afat sa më të shkurtër kohor nuk do të ndodh liberalizimi i vizave.

“E tëra kjo i përngjan një shtëpie që nuk ka dalje në rrugë, dhe me përgjegjësi etike dhe morale, them se Marrëveshja për Stabilim Asocim nuk do të ketë efektin e dëshiruar nëse nuk përcillet me liberalizim të vizave".

"Do të ketë mundësi të lëvizjes në rend të parë të komunitetit të biznesit, por edhe qytetarëve të Kosovës, të cilët do të mësojnë nga përvojat evropiane, do të bartin përvojë evropiane dhe më siguri do të ketë edhe mundësi të tjera që marrëveshja të jetë në funksion të zhvillimit”, ka thënë Gërxhaliu.

Nënshkrimi i MSA së, Kosovës posaçërisht bizneseve të vendit i hap dyer për pjesëmarrje aktive në tregun prej 500 milionë banorësh dhe do t'i rris marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe vendeve të BE-së.

Komisioni Evropian, ndërkaq nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro dhe këtu do të përfitojnë edhe prodhuesit për t'i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.

Afaristë nga Kosova, ndërkaq tregojnë se mungesa e liberalizimit të vizave ka ndikuar që mos të arrijnë të realizojnë takime të rëndësishme me afaristë të vendeve të ndryshme të botës.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë dhe ka arritur që këto produkte të eksportojë në shtete të ndryshme të botës.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, tregon për Radion Evropa e Lirë, se ka pasur raste kur iu është refuzuar viza, pavarësisht asaj se arsyeja e udhëtimit ka qenë për punë të biznesit.

Ai ndërkaq thotë se problem për tu pajisur me vizë kanë menaxherët që merren me çështjen e eksportit, e këtu sipas tij, paraqiten problemet dhe humbjet e mëdha financiare.

“Për në vendet Shengen është problem jashtëzakonisht i madh, sidomos për stafin tjetër teknik. Menaxherëve të eksportit dhe stafit tjetër shumë shpesh ndodh që t’i refuzohen vizat. Në fakt është dashur që vetëm unë të shkoj në ndonjë shtet, në vend që të shkojë një person që është ekspert për çështjen e eksportit”, tha Palushi.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ripërsërit qëndrimin se Kosova ka nevojë për liberalizim nga vetë fakti se zbatimi i marrëveshjes së MSA-sa, kërkon partneritet dhe dialog me vendet e Bashkimit Evropian.

“Nuk i duhen Kosovës vetëm marrëveshje ose vetëm një agjendë evropiane e cila shumë më tepër është arsyetim sesa substancë . Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik dhe kjo marrëveshje të jetë në funksion të zhvillimit”, shprehet ai.

Ndryshe, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës, vitin tjetër do të lëvizin lirshëm në zonën e Shengenit.