Shtohen masat e sigurisë në Kosovë

Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të hënën se "terrorizmi tashmë është një rrezik real për qytetarët e Evropës dhe më gjerë", dhe në këtë kuadër ka kërkuar "shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, që të përballet me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar".

Këto komente zoti Mustafa i ka bërë në takimin e mbajtur të hënën të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilin është shqyrtuar gjendja e sigurisë.

“Republika e Kosovës është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët".

"Ne do të vazhdojmë bashkëpunim e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të saj, si dhe me partnerët e tjerë, deri në dhënien fund, njëherë e përgjithmonë, të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe ideologjive ekstreme, të cilat po kërcënojnë jetën, sigurinë, mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat më humane të njerëzimit”, citohet të ketë thënë zoti Mustafa, në një komunikatë për media të publikuar nga zyra e tij.

Në komunikatë mes tjerash thuhet gjithashtu se "janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operacionale, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë".

Policia e Kosovës, po ashtu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të rrisin vigjilencën dhe të shmangin, kurdo që kanë mundësi, sidomos vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare.

Shtimi i masave të sigurisë edhe në Kosovë bëhet në kohën kur shumë shtete të Evropës qendrore dhe perëndimore gjithashtu kanë ngritur nivelin e sigirisë, pas sulmeve terroriste në Paris më 13 nëntor, gjatë të cilave u vranë 130 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Përgjegjësinë për to e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Që nga viti 2012, rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit në Siri, duke luftuar pëkrah organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste. Aktualisht thuhet se numri i tyre atje sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.