Në Kosovë ende ka dhunë fizike ndaj fëmijëve

Ilustrim

Dhuna fizike dhe psiqike ndaj fëmijëve nga familjarët e tyre, vazhdon të jetë prezente në Kosovë.

Në bazë të raporteve që ka bërë Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë së bashku me Agjencionin e Statistikave të Kosovës, del që në çdo të gjashtin fëmijë, ushtrohet dhunë fizike dhe psiqike.

Kështu ka thënë Laila Omar Gad, udhëheqëse e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë UNICEF.

"Dhuna ndodhë në familje dhe ne nuk shohim që po ndodhë dhuna. Dhuna po ndodhë në dyer të mbyllura dhe institutcionet duhet ta thyejnë këtë heshtje dhe të trajtohet kjo çështje".

"Dhuna ndaj fëmijëve është në nivel të lartë dhe është e padukshme, dhe po mundohemi ta ngrisim vetëdijën te popullata, sepse pikërisht ata që përkujdesen për fëmijët, ata edhe shkaktojnë dhunë ndaj fëmijëve, tha Gad.

Derisa, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë në Ditën Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, se respektimi i të drejtave të tyre duhet të bëhet pa dallim përkatësie etnike, gjinie apo statusi ekonomik.

"Sot shënojmë një ditë të rëndësishme ku në mbarë botën shënohet me aktivitete të ndryshme, të cilat kanë qëllim të promovojnë rëndësinë etë drejtave të fëmijëve".

"Në këto dy dekada shoqëria jonë ka kaluar në faza të ndryshme nga ajo e represionit në ate të luftës, dhe më pas në atë të shtet-ndërtimit. Gjatë kohës së represionit serb fëmijët kanë kaluar në shkelje të mëdha ku shëndeti i tyre është vënë në rezik dhe e drejta e tyre për shkollim është mohuar", tha Jahjaga.

Në Ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, si dhe në 20 vjetorin e shënimit të punës së UNICEF-it në Kosovë, zonja Omar Gad ka shtuar se në Kosovë jo të gjithë fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre.

"Ne jemi të brengosur pasi që ne punojmë për të gjithë fëmijët , dhe të drejtat janë për gjithë fëmijët. Por jo të gjithë fëmijët nga etni të ndryshme kanë benefite nga këto të drejta. Sidomos fëmijët e komunitetetve RAE,nuk kanë benefit të barabartë në shërbime shëndetësore në edukim dhe shërbime të tjera.

Edhe udhëheqësi i Organziatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla ka thënë se ndonëse janë bërë hapa pozitiv në respektimin e të drejtave të fëmijëve, ende ka punë në këtë fushë.

"Pas luftës është bërë një përparim i dukshëm në kornizën legjislative dhe ka pasur një avancim në respektimin e të drejtave të fëmijëve. Por, mendoj që ka hapësirë për përmirësim, sidomos për grupet vulnerabile, sidomos tek fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe një aspekt që duhet kushtuar është ngritja e respektimit të të drejtave të fëmijëve të komuniteteve RAE në çdo aspekt", tha Syla.

Ndryshe ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se janë duke bërë fushata vetëdijësuese te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë dyerve të shkollave në Kosovë.

"Kemi zhvilluar fushata për fëmijët e komuniteteve RAE ku kemi trokitur në dyer të këtyre fëmijëve, duke bisduar me prindërit e tyre që asnjë fëmijë të mos mbetet pa u shkolluar, pasi që këta janë fëmijë të barabartë të Republikës së Kosovës, dhe nesër këta qytetarë të jenë të denjë. Ne jemi duke vazhduar bashkëpunimin me UNICEF, pikërisht për fëmijët e komuniteteve RAE".

Sidoqoftë të dhënat e fundit, të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion, flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve me 32.8 për qind në krahasim me 29.7 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme.