Mjekë specialistë, por të papunë!

Ilustrim

Ndonëse nuk dihet numri i saktë i mjekëve specialistë, që vazhdojnë të jenë të papunë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë dhjetëra mjekë që presin të punësohen.

Kjo për shkak se buxheti i limituar për sektorin shëndetësor, e pamundëson punësimin e menjëhershëm të specialistëve nga lëmi të ndryshme, thotë Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Numri i specialistëve të papunë nuk mund të definohet saktë, për shkak se procesi i specializimeve është një proces i vazhduar dhe vazhdimisht dikush ndërkohë e përfundon specializimin. Mirëpo, mund të themi se janë me dhjetëra specialistë të profileve të ndryshme që presin mundësi punësimi për t’u realizuar, edhe në kuptimin profesional, por edhe atë të karrierës”, thotë Hoti.

Por, çka mendojnë sindikalistët e shëndetësisë për mundësitë e limituara për punësimin e mjekëve të rinj?

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shtetit të Kosovës i kushton rreth 200 mijë euro shkollimi i një mjeku specialist, derisa mospunësimi i tyre, i shtyn ata ta lëshojnë Kosovën dhe të gjejnë punë jashtë vendit.

“Duke u nisur nga një statistikë e jona, janë rreth 300 specialistë të papunë. Për këta mjekë nuk është paraparë punësimi i tyre as në buxhetin e vitit të ardhshëm. Dhe, sa është e dëmshme kjo, mendoj se është shumë, pasi që një specialist, të shkollohet i kushton shtetit rreth 200 mijë euro”, thekson Syla.

Ndryshe, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova për shumë arsye, qofshin ato për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës, apo nga pamundësia për t’u punësuar në vend.

Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Ndërkaq, Hoti shton se Ministria e Shëndetësisë brenda suazave buxhetore,ka krijuar kushte që tre vjetët e fundit një numër i konsiderueshëm i mjekëve specialistë, të inkuadrohen në proces të punësimit, derisa shpjegon edhe për numrin e specializantëve që mbështeten nga ky institucion.

“Tashmë 500 specializantë të tjerë janë duke u mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë ku rreth 270 janë me paga të rregullta, ndërsa 170 mbështeten nga fondi i performancës. Natyrisht, mundësitë buxhetore nuk janë të favorshme dhe nuk premtojnë punësim të menjëhershëm. Nuk kemi shumë hapësirë që secili që mbaron specializimin, ta inkuadrojmë në punë. Por, edhe në sektorin privat janë hapur më shumë mundësi, ku mjekët kanë filluar ta gjejnë veten”, shpjegon Hoti.

E, zoti Syla thotë se në Kosovë në sistemin shëndetësor publik ka mungesë të theksuar të mjekëve, në lëmi të ndryshme.

“Nëse flasim për një hulumtim që ne kemi bërë, në Pejë, Mitrovicë dhe Gjakovë, shumica e reparteve si Dermatologjia, Oftalmologjia eOtorinolaringologjia, janë në mbyllje e sipër. Sistemi shëndetësor në Kosovë, ka mungesë të madhe të kuadrove”.

“P.sh në spitalin e Mitrovicës nuk ka kuadro të mjaftueshme dhe po rrezikohet me mbyllje. Mitrovica i mbulon juridikisht 200 mijë banorë dhe nëse nuk arrihet të sistemohen mjekët, vjen deri te mbyllja e spitalit dhe qytetarët mbesin në mëshirën e Zotit”, bën të ditur Syla.

Edhe vetë deputetët eKuvendit të Republikës së Kosovës, konsiderojnë se vendi ka suficit të kuadrit mjekësor. Ata tashmë kanë deklaruar se Kosovës i duhen shumë më shumë kuadro mjekësore, andaj ikjen e mjekëve e shohin si dukuri shumë shqetësuese.