Kosova nuk ofron asnjë skemë sociale apo përfitime për të gjithë fëmijët. Për këtë çështje, për tre vjet radhazi organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kanë kërkuar nga ekzekutivi që të rishikohet skema sociale dhe në kuadër të saj, të vendosen edhe shtesat për fëmijë.
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky koalicion vazhdimisht e ka ngritur këtë çështje.
KOMF, thotë Kelmendi, i ka rekomanduar Qeverisë së Republikës së Kosovës, rritjen e buxhetit për skemat sociale dhe ofrimin e shtesave për fëmijë.
“Shtesat për fëmijë, në shumë vende të botës janë dokumentuar si instrumenti më efektiv për zbutjen e varfërisë dhe i cili zbatohet po thuajse në të gjitha vendet e Evropës juglindore”.
"Këtë ne e kemi ofruar si rekomandim afatmesëm, për shkak se kemi parë se kjo mund të realizohet me krijimin e një hapësirë më të volitshme fiskale”, thotë Kelmendi.
Por, zyrtarë në Qeverinë e Kosovës, pranojnë se për këtë çështje nuk është diskutuar, pasi, sipas tyre, duhet të jetë skemë kontribuuese, në të kundërtën i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës.
Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se kjo skemë nuk ekziston.
“Nuk është kërkuar, sepse gjithmonë konsiderojmë se duhet të jetë skemë kontribuuese, sepse është shumë e kushtueshme. Nuk i kemi hyrë kësaj pune, pikërisht për shkak të rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtarë, që kujdesen për buxhetin tonë, që mos ta ngarkojmë më tepër buxhetin, për shkak se edhe ashtu thonë se buxheti është i stërngarkuar me skema të ndryshme sociale”, deklaron Gjocaj për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Gjocaj tregon se të drejtat e fëmijëve në Kosovë mbrohen me Ligjin për familje.
Një mbrojtje apo ndihmë sociale, sipas këtij ligji, ndahet për fëmijët pa kujdes prindëror dhe ata me çrregullime mentale ose fizike, si dhe për ata që jetojnë në familje me kushte të vështira socio-ekonomike ose janë në asistencë sociale.
“Ndihmë sociale marrin fëmijët që jetojnë në familja të varfra, e që janë 27 mijë familje, me mbi 57 mijë fëmijë. Këto familje, nga viti 2012 marrin nga 5 euro shtesë për çdo fëmijë".
"Rreth 580 fëmijë marrin një kompensim në formë të strehimit familjar te të afërmit, pasi kanë mbetur pa përkujdesje prindërore. Rreth 100 fëmijë të braktisur dhe të strehuar në familje të ndryshme, marrin nga 150 euro në muaj, kurse fëmijët me aftësi të kufizuara, marrin 250 euro në muaj”, shpjegon Gjocaj.
Ndryshe, Kelmendi konsideron se autoritete kosovare nuk e kanë respektuar as Rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ku parashihet që të ketë përfitime për fëmijët.
“Me theks të veçantë, në nenin 38 ku flitet për të drejtat dhe varfërinë e fëmijëve, iu bën thirrje autoriteteve kosovare për të zbatuar plotësisht Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe po ashtu u rekomandon që politikat për varfërinë e fëmijëve duhet të rishikohen, duke përfshirë këtu edhe ndryshimin e skemës së asistencës sociale. Por, në të njëjtën kohë edhe futjen e një përfitimi universal apo shtesave për fëmijë”, thekson Kelmendi.
Në fushatën e fundit për zgjedhjet e parakohshme, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati premtuar se do të ndajë nga 300 euro për fëmijët e porsalindur.