A do të ketë kategorizim pagash në sektorin shëndetësor?

QKUK

Paga e mjekut specialist në Kosovë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Kjo pagë është lineare për të gjithë mjekët në gjithë sektorin publik shëndetësor.

Por, këtë gjë e kundërshtojnë ashpër mjekët, duke thënë se duhet të bëhet kategorizimi i pagave.

Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky fenomen duhet të ndryshohet.

"Nuk mendoj se është korrekte që pagat të jenë lineare. Nuk është e mundur që një mjek t'i ketë 400 operacione dhe tjetri asnjë dhe paga të jetë e njejtë. Pastaj pagat e profesionistëve shëndetësorë janë shumë të ulëta, sidomos nëse krahasohet me profesionistët e pjesës arsimore".

"Nuk mundet i njejti njeri, siç jam unë, të ketë 6 orë ligjerata në Fakultetin e Mjekësisë dhe të marrë pagë 1100 euro, e njëkohësisht në QKUK t'i ketë 40 orë punë dhe të bëjë operacione pa u ndalur dhe të paguhet 600 euro. Është gabim që paga është lineare në sistemin e shëndetësisë", tha Baftiu.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës thonë se me hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, do të rregullohet edhe kategorizimi i pagave për mjekët e sektorit publik.

Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, thekson se kjo çështje do të rregullohet me Ligjin e pagave.

"Sistemi linear i pagave favorizon ata që nuk janë shumë punëtorë në krahasim me mjekët që punojnë shumë. Por, mendoj se me Ligjin e pagave kjo çështje do të rregullohet dhe mbase kjo do të zgjidhet pas krijimit të fondit të sigurimeve shëndetësore, pasi që mjekët do të paguhen në bazë të performancës së punës që tregojnë".

"Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që ka shkaktuar veprime të padëshirueshme, sidomos në ato profesione që janë deficitare në Kosovë. Ne duhet të krijojmë kushte që t'i stimulojmë mjekët më shumë, dhe paga të mos jetë uniformë".

Ndryshe, si rezultat i pagave të ulëta dhe sistemit jo të mirë shëndetësor, vetëm për tre vjet nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian, kanë ikur rreth 400 mjekë.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se punëtorët shëndetësorë duhet të kenë vlerësim real, ne mënyrë që të stimulohet puna e tyre.

"Ne kemi kërkuar që të bëhet Ligji për pagat në sektorin e shëndetësisë, sidomos pasi që janë nivele të ndryshme të shërbimeve. Kjo gjë duhet të rregullohet, pra të bëhet kategorizimi i pagave. Kjo është edhe kërkesë e Bashkësisë Evropiane".

"Hulumtimet që i kemi bërë ne, njëra nga arsyet e ikjes së mjekëve nga Kosova është paga e pamjaftueshme, sidomos te ata të lëmit të kirurgjisë, emergjencës, mjekimit intenziv", tha Syla.

Sidoqoftë, gjatë anketimeve nga organizata të ndryshme që u janë bërë mjekëve, del se një mjek specialist ka kërkuar ta ketë pagën e një deputeti, në mënyrë që të punojë vetëm në sektorin publik.

Ndryshe, 120 deputetë të Kuvendit të Republikës se Kosovës, marrin pagë mujore mbi 1500 euro në muaj, derisa gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.

Pagat mujore në Kosovë për shtresat tjera të popullsisë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro me përjashtime.