Kushtetuesja pezullon Marrëveshjen për Asociacionin

(©Shutterstock)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për pezullim të përkohshëm të Marrëveshjes me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se pezullimi vlen deri në vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës.

“Ky vendim për masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”, thuhet në komunikatë.

Kërkesa për interpretim, Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 30 tetor.

Nisma e presidentes ka pasuar përplasjet dhe tensionet e shtuara politike në raportet pushtet – opozitë në Kosovë.

Partitë opozitare po kundërshtojnë me ngulm marrëveshjen e arritur në dialog me Beogradin për Asociacionin e komunave serbe, duke e konsideruar atë të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe hap drejt ndarjes në vija etnike.

Këto përplasje kanë sjellë si pasojë edhe bllokimin e punës së Kuvendit.

Interpretimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare.

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se Marrëveshja për Asociacionin nuk do të zbatohet nëse gjykata vlerëson se është në shpërputhje me Kushtetutën. (v.t.)