AGK mirëpret vlerësimet e Raportit të Progresit

Prishtinë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëprtitur vlerësimet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, në fushën e lirisë së shprehjes.

"Rritja e sulmeve, kërcënimeve, si dhe mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve janë dëshmi për cenimin e vazhdueshëm të fjalës së lirë në Kosovë, që rezulton edhe me progres të munguar në këtë fushë", thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve.

I njëjti u bën thirrje mediave që të zbatojnë rekomandimet e Komisionit Evropian në këtë raport për krijimin e kodeve individuale etike dhe profesionale, të cilat do të ndihmonin në pavarësinë e gazetarëve dhe redaktorëve si dhe në mbrojtjen e standardeve profesionale në gazetari.

Raporti i Komisionit Evropian ka vënë në pah se në fushën e lirisë së medias, Kosova përballet me kuadër ligjor të fragmentuar dhe joefektiv.

Transmetuesi publik është i brishtë përballë trysnisë politike dhe nuk ka fonde të qëndrueshme, ka vlerësuar Komisioni Evropian.