Mustafa: Kosova në UNESCO, Serbia e ka humbur rrugën

Kalaja e Prizrenit

Kosova nuk do të tërhiqet nga beteja për anëtarësim në UNESCO, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kryeministri Mustafa ka deklaruar se Kosova e meriton të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të njohur shkurt si UNESCO, sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate.

Mustafa është ndalur edhe në fushatën dhe fjalorin e ashpër që po përdorë Serbia kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Ky fjalor dhe kjo fushatë, ka nënvizuar Mustafa, i ngjajnë politikës që solli shkatërrime e luftë gjatë viteve 1990 - 1999.

"Fjalori dhe akuzat janë totalisht të papranueshme. Ato janë vazhdimësi e politikës serbe e cila është aplikuar këtu dhe e cila kishte si pasojë luftën, shkatërrimet, ka pas për pasojë viktimat njerëzore. Unë shpresoj që Serbia tani në mungesë të argumenteve dhe në mungesë të sukseseve në politikën e jashtme po shërbehet me argumente të tilla çka flet që ata e kanë humbur rrugën dhe besimin", ka theksuar Mustafa.

Kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO po zhvillohet një fushatë e ashpër diplomatike nga Serbia, përfshi edhe Kishën Ortodokse dhe aleatët e Serbisë, në rend të parë Rusinë.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej ka deklaruar se serbët duhet të mbrojnë trashëgiminë e tyre, qoftë nevoja edhe me dhunë.

“Mbështetësit e të ashtuquajturit shtet i Kosovës dëshirojnë të anëtarësojnë vendin në UNECSO, dhe në këtë mënyrë ta konfiskojnë trashëgiminë kulturore serbe”, është cituar Irinej në mediat serbe. Sipas tij, nëse vjen deri te përdorimi i dhunës, serbët duhet të kundërpërgjigjen njësoj. Argumentet e Serbisë, kryesisht mbështeten tek ruajtja e trashëgimisë fetare ortodokse.

Por, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se thirrja e Serbisë në emër të Kishës Ortodokse është e paqëndrueshme, ngase të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre që të jenë pjesë e UNESCO-s.

"Serbia, siç po shihet, në emër të Kishës Ortodokse Serbe, të cilës ne ia kemi dhënë të gjitha garancitë e veprimit të plotë dhe të ruajtjes së identitetit tonë të plotë në vendin tonë, po tenton të pamundësojë që edhe trashëgimitë tjera fetare, myslimane, katolike, protestante, hebraike, të jenë pjesë e vlerave universale botërore".

"Të gjitha këto bashkësi e kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë dhënë zotimin e tyre që dëshirojnë të jenë anëtare të UNESCO-s”, ka thënë Mustafa.

Përveç futjes së objekteve të caktuara të kultit nën mbrojtje të UNESCO-s dhe shtetit të Kosovës, me këtë anëtarësim Kosova pret që të përfitoj edhe në fusha tjera. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se UNESCO mbulon 70 programe në të cilat Kosova do të mund të përfitonte që nga viti i parë i anëtarësimit.

"Kosova deri më sot ka humbur mundësinë për të përfituar miliona dollarë asistencë nga Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit. Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për avancimin e arsimit tonë si një forcë konkurruese në shekullin XXI".

"Qasja në programet e UNESCO-s do të ndihmojë Kosovën në fushat në nevojë kritike për përmirësime të tilla, siç është cilësia e kurrikulave, trajnimi i mësimdhënësve, përdorimi i teknologjisë si dhe kërkimi shkencor e akademik", ka deklaruar Bajrami.

Pas vendimit të Bordit Ekzekutiv në favor të Kosovës, tani pritet që vendimin përfundimtar ta merr Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, me gjasë më 9 nëntor.

Për t’u pranuar, Kosovës i duhen dy të tretat e votave në Konferencën e Përgjithshme, e cila përbëhet nga 195 vende anëtare.