Të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se deri në fund të shtatorit, borxhi i qytetarëve ndaj bankave në formë kredie, është rreth 2 miliardë euro, e që është rreth 400 milionë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas këtyre të dhënave, ka shënuar rritje edhe numri i kredive të pashlyera që ka ndikuar dhe në bllokimin e xhirollogarive të qytetarëve.
Ndërkohë, qytetarët e Maqedonisë ankohen nga normat e larta të interesit të bankave për marrjen e kredive.
“Kamatat janë shumë të larta, prej shumës që kam marrë unë si kredi, brenda pesë vjetësh paguaj plus tremijë euro shtesë, vetëm për kamata. Nevoja është ajo që më detyroi të marr kredi në këto kushte kaq të pavolitshme. Pas kësaj, herëve të tjera as që do ta mendoj mundësinë që të futem në kredi, sepse bankat të rrjepin përmes kredive”, tregon një qytetar.
“Kam marrë një kredi për zgjidhjen e disa problemeve financiare do të thosha, kisha dasmën e djalit dhe nga paga ime nuk kisha mundësi të lë anash asgjë për të kursyer, përderisa fëmijët, edhe pse të diplomuar, akoma janë të papunë, kështu që u detyrova të marr kredi pak para pensionimit”, thotë një qytetare tjetër nga Shkupi.
Ndërkaq, Marija Zarezankova, eksperte e ekonomisë, thotë se për fat të keq qytetarët e Maqedonisë nuk marrin kredi për të investuar në rritjen e cilësisë së jetesës, përkatësisht ngritjen profesionale apo për të investuar në hapësira banimi, por për të mbijetuar.
“Qytetarët e Maqedonisë i kanë llogaritë e bllokuara, sepse nuk kanë mundësi t'i mbulojnë shpenzimet bazë për jetesë, ndërkohë që dëshirojnë të jetojnë një jetë sadopak dinjitoze. Kjo i detyron që përmes kredive, ata të kamuflojnë varfërinë, e cila i kaplon si rrjedhojë e pagave të ulëta, madje dhe faktit se familjet në Maqedoni mbijetojnë nga të ardhurat e një të punësuari të vetëm në familje”, vlerëson Zarezankovska.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, rritja e borxhit të qytetarëve ndaj bankave, në formë të kredive, është e shoqëruar dhe me kreditë jofunksionale, përkatësisht vonesave për shlyerjen e kësteve për më shumë se 90 ditë.
Fatmir Dinarica, njohës i çështjeve financiare, thotë se ka më shumë arsye se pse qytetarët nuk arrijnë të respektojnë dinamikën e përcaktuar në bazë të kontratave ndërmjet klientëve dhe bankave, për të kthyer mjetet e marra në formë kredie.
“Një nga arsyet për kthimin e kredive në afatet e caktuara kohore kanë të bëjnë me mungesën e disiplinës financiare nga vetë qytetarët, pra një pjesë harrojnë ose nuk janë të njoftuar sa duhet me sanksionet që pasojnë, nëse nuk shlyejnë borxhin me kohë".
"Çështja tjetër më e rëndësishme është jostabiliteti i tregut të punës, me ç`rast kemi më shumë situata ku një i punësuar, pasi humb vendin e punës, e ka vështirë të sigurojë një punë tjetër, me këtë dhe të paguajë me kohë këstet e kredisë”, vlerëson Dinarica.
Nga statistikat e nxjerra nga Bankës Popullore të Maqedonisë vërehet rritje e numrit të xhirollogarive të bllokuara bankare të qytetarëve të Maqedonisë. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë bllokuar mbi 170 mijë xhirollogari të qytetarëve, që kryesisht kanë të bëjnë me mospagesën e kësteve për kreditë e marra, si dhe mosshlyerjen e borxheve që kanë qytetarët për faturat komunale si dhe taksën radiodifuzive.