Vendimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka alarmuar Beogradin.
Autoritetet serbe kanë kërkuar menjëherë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedimet e Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ka thënë mediave serbe se prej Prishtinës gjithçka mund të pritet, dhe në këtë rast, sipas tij, bëhet fjalë për një lajm shumë të keq.
"Mendoj se bëhet fjalë për një sjellje të papritur dhe thënë me fjalët më të buta, sjellje të papërgjegjshme", ka thënë Vuçiq.
Në Bruksel, ka vijuar Vuçiq, është negociuar me muaj dhe janë bërë shumë kompromise kurse pjesa më e madhe e marrëveshjes ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe.
"Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për ta, përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit", ka theksuar Vuçiq.
Ai ka qenë i ashpër edhe në raport me Brukselin duke thënë se tashmë janë bërë rutinë deklaratat e zyrtarëve evropianë se mund të ketë shtyrje për një muaj dhe prapë procesi do të kthehet aty ku ishte.
"Çështja këtu është se si dhe në çfarë mënyre t'i bëni serbët që të heshtin, të bëhen budallenj apo të shtiren si të marrë dhe ky është krejt thelbi i tregimit", ka deklaruar Vuçiq.
Ndërkaq koordinatori i ekipit të Beogradit për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, Lubomir Mariq ka thënë se duhet të sqarohet nëse është apo nuk është në fuqi marrëveshja për Asociacionin.
"Mendoj se kjo është çështje e Bashkimit Evropian. Ne duhet të bisedojmë seriozisht me BE-në dhe se Qeveria e Serbisë duhet të kërkoj nga Brukselit sqarime konkrete rreth afatit të formimit të Asociacionit dhe të marr përgjigje se a është suspenduar marrëveshja për këtë Asociacion", ka thënë Mariq.
Dërgimin e parimeve të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Gjykatën Kushtetuese e kanë kundërshtuar edhe numri më i madh i deputetëve serb në Kuvendin e Kosovës.
Procedimi në Gjykatën Kushtetuese si efekt të parë do të sjellë zvarritjen për të paktën një apo dy muaj të themelimit të këtij Asociacioni, pasi që shqyrtimi në Kushtetuese mund të zgjas deri në 60 ditë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar mirëkuptim nga deputetët serbë, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për një veprim kushtetues që është nën autoritetin e presidentes.
"Shpresoj që Lista Serbe e cila është duke dhënë kontribut në institucionet tona e mirëkupton këtë iniciativë. Kjo është çështje e Kushtetutës të cilës të gjithë ne i bindemi dhe e respektojmë", ka deklaruar Veseli.
Ky trup, sipas marrëveshjes së Brukselit pritet të mbledhë kryetarët e dhjetë komunave me shumicë.
Aty, kryetarët e komunave serbe do të mund të diskutojnë çështje të interesit të përbashkët të komunitetit, nga fusha e arsimit, shëndetësisë, por edhe planifikimit hapësinor.
Sidoqoftë, kjo marrëveshje është kundërshtuar ashpër nga opozita e cila ka bllokuar punimet e kuvendit me kërkesën e vetme për anulimin e saj.
Andaj, presidentja Jahjaga ka qenë e shtrënguar që në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje, t'i zbatojë autorizimet kushtetuese që i ka, duke e dërguar marrëveshjen në Kushtetuese, për t'i interpretuar parimet e saj nëse janë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovws, Isa Mustafa ka deklaruar për mediat në Kosovë se nëse Gjykata e interpreton këtë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ajo nuk do të zbatohet.