Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, ka shpjeguar se në Kosovë janë rreth 5 mijë përdorues të drogave të cilët, siç thotë ai, i përdorin në mënyrë aktive këto substanca.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Blakaj, në çfarë përmasash mund të shihet fenomeni i përdorimit të substancave narkotike në Kosovë?
Safet Blakaj: Vitet e fundit përdorimi i drogës "heroin" ka rënë dukshëm dhe ky është një lajm shumë i mirë dhe na bën që të jemi më ambicioz. Por, tash kanë filluar të futen drogat e reja të dizajnuara në Kosovë e që për neve paraqesin komplikim, pasi që përveç mangësisë së njohurive po ashtu edhe identifikimi i atyre substancave është sfidë.
Marihuana ka pasur një përhapje të madhe dhe vazhdon të përdoret shumë në Kosovë. Pastaj droga e re GHB sidomos në Prishtinë vazhdon të ketë shtrirje të shpejtë.
Nëse krahasohet me vendet e regjionit ne nuk qëndrojmë dramatikisht me statistika, por tek rreziku se në një moment të caktuar shpërthen përdorimi i drogave në përmasa të mëdha është për arsye se numri i të rinjve është shumë më i madh se në regjion dhe mos angazhimi i tyre në punë dhe aktivitete të tjera.
Gjithashtu mungojnë programet parandaluese duke e futur edhe sistemin e arsimit dhe atë jashtë-shkollor. Programet parandaluese duhet të konsolidohen dhe të jenë efikase.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë grupmoshat që përdorin substanca narkotike dhe cili është lloji i substancave narkotike që abuzohet më shumë në vend?
Safet Blakaj: Marihuana dhe atë jo vetëm në qytet, por edhe në vende rurale ka përdorim të gjerë dhe mosha gjithnjë është në rënie. Mund të flasim se ka rënë në minimumin e moshës. Për shembull nëse krahasohet viti 2007 me vitin 2014, mund të flasim se fillimi i përdorimit të drogave ka rënë në minimum.
Mosha mesatare ka qenë në 21, derisa tash ka rënë në 16. Kjo është shqetësuese, derisa nuk po flasim për moshat 12 vjeç pasi që ato janë raste të rralla.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë çfarë ka bërë dhe çka në fakt bën shteti i Kosovës për luftimin e kësaj dukurie, përfshirë këtu edhe organizatat joqeveritare dhe gjithë aktorët që merren me këtë problematikë?
Safet Blakaj: Para dy vitesh ka qenë iniciativë e mirë sa i përket institucioneve dhe ka qenë e orientuar tek trajtimi i përdoruesve të drogave dhe është rregulluar legjislacioni duke na hapur rrugën drejt trajtimit medicinal, jo vetëm në Labirint, por edhe në institucione tjera publike.
Ka filluar të aplikohet programi mbajtës me Metadon , është një program i veçantë për ata që kanë problem nga varshmëria nga drogat, por nuk është e mjaftueshme pasi që nuk e përfshinë gjithë territorin e Kosovës. Më shumë se gjysma e territorit nuk është e mbuluar gjeografikisht.
Sa i përket parandalimit, ngecjet janë më të mëdha pasi që nuk ka ndonjë program parandalues për nxënësit në shkolla dhe për të rinjtë tjerë që janë jashtë sistemit shkollor.
Këto programe nuk kanë unifikim dhe nuk zbatohen në kontinuitet në mënyrë që informacioni të arrijë te të gjithë të rinjtë.
Kjo është një mangësi e madhe dhe ne programet parandaluese i shohim si shumë të nevojshme dhe të rëndësishme dhe këto programe duhet që sa më shpejtë të zhvillohen dhe të konsolidohen.
Radio Evropa e Lirë: Është thënë se Kosova është rrugë transiti i narkotikëve drejt Perëndimit. A është shndërruar Kosova në vend destinimi?
Safet Blakaj: Po e përmendi marihuanën pasi që është vend destinimi edhe pse ka pasur aktivitetet të policisë dhe kanë gjetur parcela të mbjellura me kanabis prej ku del edhe marihuana.
Ndërkaq të gjitha drogat tjera vijnë nga shtete tjera dhe atë çka ne po e vërejmë është se Kosova po bëhet vend destinacioni i drogave.
Nëse i referohemi të dhënave të autoriteteve të rendit, gjyqësisë, del se aktiviteti kriminal i trafikimit të drogave ka rënë.