Opozita nuk do ta pengojë ratifikimin e MSA-së

Kuvendi i Kosovës

Partitë opozitare në Kosovë janë zotuar se nuk do ta bllokojnë procesin e votimit në Kuvend për ratifikimin e projektligjit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, edhe pse, sipas tyre, kjo marrëveshje i ka disa të meta.

Sipas opozitës, MSA e trajton Kosovën jo si shtet, por me fusnotë dhe pa emërtimin Republikë në të.

Opozita po ashtu është pajtuar që presidenti i Austrisë t’iu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është nder për Parlamentin.

"Ky është një qëndrim parimor i opozitës dhe nuk e ndryshon pozicionin e saj për marrëveshjet e Demarkacionit dhe Asociacionit dhe kërkojmë nga shumica parlamentare që të mos provojë që, në emër të gatishmërisë sonë për të mos bllokuar ratifikimin e MSA-së, të kontrabandojë tema të tjera në të njëjtën mbledhje. Në një situatë të tillë, përgjegjësia do të ishte e pozitës", thuhet në komunikatën e tri partive opozitare: Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Opozita, për gati dy muaj, ka bllokuar punën e Kuvendit, duke kushtëzuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, që të tërheqë nënshkrimet në marrëveshjen me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.