Jahjaga do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin

Foto nga arkivi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka konfirmuar se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të vlerësuar përputhshmërinë e parimeve të këtij organi me Kushtetutën e Kosovës.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Austrisë Hainz Fischer, i cili po qëndron në një vizitë dy ditore në Kosovë.

Jahjaga ftoi partitë politike që të bisedojnë dhe të tejkalojnë gjendjen e krijuar në Kuvend, duke u zotuar se ajo do të luaj rolin e saj kushtetues që ka në këtë proces.

"Fatkeqësisht ftesa ime për një takim të përbashkët me spektrin politik ende nuk është pranuar nga opozita. Në takimet e ndara që kam pasur me kryeministrin, zëvendëskryeministrin si dhe liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, t'i drejtohem Gjykatës Kushtetuese, për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t'i drejtohem Gjykatës Kushtetuese", ka thënë Jahjaga.

Në anën tjetër, presidenti austriak Hainz Fischer tha se në demokraci ka përplasje e mosmarrëveshje mes pushtetit dhe opozitës. Ai u ndal edhe në dy marrëveshjet që e kanë tensionuar gjendjen politike në Kosovë.

Sa i përket Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar në Vjenë, Fischer tha se nëse ka probleme, ato duhet të zgjidhen mbi bazën e negociatave.

Kurse, për Marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas tij, nuk shihet se ka ndonjë rrafsh të ri kushtetues, por është vetëm një mundësi dhënë komunave serbe të mblidhen në një Asociacion.

Presidenti austriak është pritur me nderime të larta shtetërore në Prishtinë.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se Kosova i është mirënjohëse Austrisë për rolin që ka luajtur në shtet-ndërtimin e Kosovës, përfshi edhe procesin negociator në Vjenë që qoi deri te shpallja e pavarësisë.

Kurse, presidenti Fischer e ka përgëzuar Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

"Procesi integrues i Bashkimit Evropian nuk do të konsiderohet i përfunduar përderisa të mos integrohen edhe 6 shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor", ka thënë Fischer.

Ai shprehu optimizmin e tij se nuk do të jetë i largët as procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Presidenti Fischer, gjatë vizitës së tij dy ditore, do të takojë zyrtarë të lartë të shtetit, krerët e Qeverisë dhe përfaqësues tjerë të jetës publike.