Fushata e Rusisë në Siri tërheq kritika

Your browser doesn’t support HTML5

Pasojat e sulmit rus në Siri

Rusia ka nisur të nxehet nga raportet se sulmet e saj ajrore në Siri kanë goditur objekte mjekësore dhe kanë vrarë qindra civilë. Luftëtarë rusë po ashtu thuhet se po vriten në betejë.

Një OJQ mjekësore dhe një grup monitorues kanë thënë se sulmet ajrore ruse kanë goditur tre spitale në veriperëndim të Sirisë këtë javë, duke vrarë së paku 12 njerëz dhe plagosur dhjetëra.

Shoqëria Siriane-Amerikane e Kujdesit Shëndetësor dhe Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut kanë thënë se një sulm në një spital në qytetin Sarmin, mbrëmjen e 20 tetorit, ka lënë të vrarë një fizioterapist, një infermiere dhe një punonjës të mbrojtjes civile.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se ky informacion është “i rremë” . Ajo ka shtuar se Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut është i besueshëm “aq sa një kamarier në një piceri”.

Por, drejtori i spitalit në Sarmin, Muhammad Tennari, ka thënë se objekti është goditur direkt nga sulmi ajror dhe se nuk mund të kujdeset më për pacientët për shkak të dëmtimeve.

Shoqëria Siriane-Amerikane e Kujdesit Shëndetësor - organizatë bamirëse që operon në Siri, Jordani, Turqi dhe Liban - ka thënë se sulmi ka qenë i treti në një spital të Sirisë, brenda katër ditësh.

Organizata, po ashtu, ka thënë se sulmet ajrore ruse kanë goditur edhe dy spitalet e vetme që operojnë në Alepo, më 18 dhe 19 tetor, duke shkaktuar dëme të mëdha, që kanë detyruar pacientët të evakuohen dhe objektet të mbyllen.

Organizata bamirëse mjekësore i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë sulmet kundër objekteve spitalore dhe civilëve.

Agjencia Siriane e Lajmeve ka raportuar se sulmet ajrore ruse kanë shkatërruar një shtab “terrorist” në Sarmin, por nuk ka përmendur spitalin.

Avionët luftarakë rusë kanë kryer dhjetëra sulme ajrore në provincat Alepo dhe Idlib, ku ndodhet qyteti Sarmin.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë më 22 tetor se sulmet ruse janë duke e bërë më të vështirë për grupin që të arrijë në disa zona dhe të shpërndajë ndihma për civilët.

Lufta civile në Siri, që ka nisur në vitin 2011, ka vrarë mbi 220,000 njerëz dhe ka detyruar miliona të tjerë të ikin nga shtëpitë.

Raportet për sulme ndaj objekteve mjekësore kanë ardhur dy ditë pasi Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili mbështetet në dërgesat e monitoruesve në gjithë Sirinë, ka thënë se sulmet ajrore ruse kanë vrarë së paku 370 njerëz, përfshirë 36 fëmijë nga 127 civilë, prejse Moska ka nisur fushatën më 30 shtator.

Luftimet kanë qenë intensive sidomos në provincën Homs, ku Vëzhguesi Sirian ka thënë se rreth 60 njerëz janë vrarë nga sulmet ruse dhe luftimet në terren.

Komiteti i Koordinimit Lokal, një rrjet aktivist në Siri që monitoron po ashtu luftimet, ka thënë se 57 njerëz janë vrarë.

Rusia ka thënë se është duke goditur “terroristët”, por ka pasur raporte se avionët rusë bombardojnë pa dallim.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili bombardon caqet e militantëve të Shtetit Islamik që një vit, akuzon Moskën se sulmon edhe grupet e moderuara rebele, që luftojnë forcat qeveritare dhe luftëtarët e Shtetit Islamik, ndërkohë që mbështeten nga SHBA-ja dhe Turqia.

Ushtria ruse ka hedhur vazhdimisht poshtë informacionet për viktima civile, duke thënë se avionët e saj nuk godasin zona të populluara.

Ruslan Leviyev, njëri nga themeluesit e organizatës hulumtuese ruse Ekipi i Inteligjencës së Konfliktit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka dokumentuar se sulmet ajrore ruse kanë goditur në qendra të qyteteve.

Grupi monitorues Human Rights Watch ka thënë se avionët rusë kanë hedhur bomba thërrmuese në fshatin Kafr Halab, në jugperëndim të Alepos, më 4 tetor.

Grupi ka shpërndarë fotografi të municionit, por, më 22 tetor, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si “absurde”.

Moska po ashtu ka mohuar se ushtarë të saj janë vrarë në Siri, duke përsëritur qëndrimin e saj se nuk ka ushtarë rusë të përfshirë në operacionet luftarake atje.

Më 20 tetor, agjencia Reuters ka cituar një bruim ushtarak pro-qeveritar në Siri të ketë thënë se tre “rusë”, që kanë qenë duke luftuar së bashku me forcat qeveritare siriane, janë vrarë pasi një predhë ka goditur pozicionin e tyre në provincën Latakia.

Burimi pro-qeveritar ka thënë se së paku 20 rusë kanë qenë në zonën Nabi Yunis, kur ka goditur predha.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka thënë se burimet e tij në terren i kanë konfirmuar vdekjet, por nuk ka dhënë shifra. Sipas burimit të njëjtë, ata nuk kanë qenë forca të rregullta ruse, por vullnetarë.

Sekretari për media i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 21 tetor se këto raporte nuk kanë burim konkret.

Minisria ruse e Mbrojtjes dhe ambasada ruse në Damask po ashtu i kanë hedhur poshtë raportet se tre ushtarë rusë janë vrarë në Siri.

Por, shërbimi i inteligjencës i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës ka thënë më 20 tetor se 26 marinsa të vdekur nga Flota Ruse në Detin e Zi, janë sjellë në qytetin e Krimesë, Sevastopol, të njëjtën ditë.

Forca ruse në Siri përbëhet nga më shumë se 50 avionë dhe helikopterë, përfshirë Sukhoi Su-24M, Su-25SM dhe Su-34.

Rusia ka përdorur po ashtu raketa nga flota në Kaspik për sulmet në Siri.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka thënë më 8 tetor se së paku katër raketa nuk kanë arritur objektivat e tyre dhe janë përplasur në veriperëndim të Iranit.

Edhe pse Rusia i ka mohuar dështimet, mediat iraniane kanë raportuar për objekte fluturuese, shpërthime, ndërtesa të dëmtuara dhe madje viktima në perëndim të Iranit, pas lansimit të raketave më 7 tetor.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Iranit, Afkham Marzieh, nuk i ka konfirmuar informacionet se raketat ruse kanë zbarkuar në Iran.

Përgatiti: Valona Tela