Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka votuar në favor të kërkesës për ta pranuar Republikën e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.
Draft-rezoluta për rekomandimin për pranimin e Kosovës si anëtare më të re në UNESCO, ishte pika 43 e diskutimit në Bordin ekzekutiv.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qëndruar në Paris, përmes rrjetit social Twitter ka bërë të ditur se “rekomandimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është miratuar me 27 vota për, 14 kundër dhe 14 abstenime”.
Rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nga Bordi ekzekutiv i kësaj organizate, Thaçi e ka cilësuar si “një hap shumë të madh përpara për Kosovën”.
Përmes rrjetit social Facebook, vendimin e Bordit ekzekutiv të UNESCO-se ka vlerësuar si “lajm fantastik” edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s rekomandon kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Kërkesa tani i drejtohet Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor për votën e anëtarësimit. Vazhdojmë tutje me përkushtim për të avancuar vlerat, harmoninë dhe progresin e vendit tonë”, ka shkruar në rrjetin Facebook, presidentja Jahjaga.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po ashtu përmes rrjetit social Facebook, ka falënderuar vendet që janë angazhuar që Kosova ta marrë rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësim në këtë organizatë.
“Falënderoj në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe emrin tim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Kroacinë dhe Shqipërinë, për angazhimin maksimal që vendi ynë të bëhet pjesë e UNESCO-s”, ka shkruar në Facebook, kryeparlamentari Veseli.
Në anën tjetër, reagime ndaj vendimit të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë, ka pasur edhe në Serbi. Autoritetet serbe e kanë quajtur të padrejtë këtë vendim.
Ministri i punëve të Jashtme i Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia duhet ta vazhdojë luftën e saj për ta penguar hyrjen e përfundimtare të Kosovës në UNESCO.
“Në nuk duhet të reagojmë në mënyrë joracionale, por duhet të vazhdojmë luftën sepse kemi shanse të mëdha që në konferencën e përgjithshme, vendimi të refuzohet. Ende nuk ka përfunduar asgjë”, ka thënë Daçiq.
Ai ka shtuar se votimi në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s ka treguar, sipas tij, se ekzistojnë ndasi të mëdha në bashkësinë ndërkombëtare, sikurse edhe në UNESCO.
Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e ka quajtur padrejtësi vendimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për Kosovën
“Me vendimin e vendeve të mëdha dhe të fuqishme që propozimi për pranimin e Kosovës në UNESCO të dërgohet në konferencën e përgjithshme, është shkelur e drejta ndërkombëtare, por edhe drejtësia”, ka thënë Gjuriq.
Votimi i sotëm i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s në favor të Kosovës, e çon çështjen në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila do të mbahet prej 3 deri më 18 nëntor.
Konferenca e përgjithshme UNESCO-s përbëhet nga 195 vende anëtare dhe për vendimin pozitiv për Kosovën, që do të ishte përfundimtar për pranimin në UNESCO, nevojiten dy të tretat e votave.