Forcat irakiane i dëbuan militantët e IS-it nga rafineria

Baixhi, Irak.

Forcat qeveritare të Irakut, të mbështetura nga milicia shiite, i kanë dëbuar militantët e Shtetit Islamik (IS) nga rafineria kryesore e naftës në veri të kryeqytetit, Bagdad, gjatë një operacioni ushtarak të shkallës së gjërë, kanë thënë autoritetet mbrëmë vonë.

Komanda e përbashkët ushtarake tha se forcat qeveritare e kanë rimarrë kontrollin ndaj rafinerisë në Baixhi, që është më e madhja në Irak, dhe qytetin e afërt, Sinija.

Pasi e rimorën rafinerinë në veri të qytetit, forcat e sigurisë e kanë kontrolluar në mënyrë gjithëpërfshirëse gjithë kompleksin për gjetjen e militantëve të mbetur të IS-it dhe bombave.

Së paku 15 militantë të Shtetit Islamik dhe 6 luftëtarë kundër IS-it, janë vrarë në luftimet për rimarrjen e Baixhit, kanë thënë zyrtarët.

Qëllimi i ardhshëm i forcave qeveritare të Irakut është marrja e qytetit të afërt Baixhi, afro 250 kilometra në veri të Bagdadit.

Ky qytet pati rënë nën kontrollin e militantëve të IS-it gjatë avancimit të shpejtë të pjesëtarëve të këtij grupi ekstremist vitin e kaluar, në pjesën veriore të Irakut.

Qyteti ka rëndësi strategjike pasi shtrihet në rrugën për në Mosul, i cili është nën okupim të militantëve të Shtetit Islamik. Mosuli është qyteti i dytë për nga madhësia në Irak, pas Bagdadit.

“Forcat irakiane po lëvizin thellë për në Baixhi; ato e kanë rimarrë hapësirën industriale dhe disa lagje të tjera”, i tha një kolonel ushtarak agjencisë AFP, duke specifikuar se ushtria “e ka kontrollin ndaj 60% të qytetit dhe se atje nuk ka shumë luftëtarë të Daesh-it dhe ata janë të bllokuar”.

Emri Daesh në shtetet arabe është referencë për IS-in.

Marrja e sërishme e rafinerisë në Baixhi është e rëndësishme, pasi IS, që ka shpallur Kalifat Islamik në territoret që i ka nën kontroll në Irak dhe Siri, e ka shfrytëzuar shitjen e naftës së kontrabanduar, për ta financuar pjesën më të madhe të operacioneve të veta.

Në Rafineri, që dikur ka prodhuar 300 mijë fuçi në ditë, që ka mjaftuar për gjysmën e nevojave të Irakut, ende ka shqetësime se është dëmtuar rëndë dhe nuk mund të riparohet.

Operacioni ushtarak i quajtur “Me komandën tënde i Madhi Zot”, është lansuar më 12 tetor, si faza e dytë e operacionit të shkallës së gjërë për dëbimin e militantëve të IS-it nga provinca Salahudin, në pjesën qendrore të Irakut.

Trupat qeveritare ishin të mbështetura nga forcat paraushtarake, të përbëra kryesisht nga milicitë shiite.

Sheikh Qwais al-Khazali, lideri i grupit paraushtarak, Asib Ahl al-Haq, i mbështetur nga Irani, ishte filmuar me uniformë ushtarake, së bashku me trupat brenda rafinerisë, në një video që është transmetuar nga kanali televiziv i grupit, al-Ahad.

Në video janë paraqitur pamje të ushtarëve duke ecur nëpër gërmadhat e kompleksit të rafinerisë, derisa tymi i zi delte nga disa hapësira të ndryshme. Ushtarët kanë mbajtur flamuj të Irakut dhe të milicive shiite.

Në mediat e Irakut ka pasur raporte se rol të madh në këtë operacion ka luajtur edhe Qassem Soleimani, komandant i krahut të jashtëm të Gardës Revolucionare Elite të Iranit.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve të IS-it, që është më aktiv në frontin në Anbar, ka thënë se ka ndërmarrë dy sulme ajrore në territorin e Baixhit.

Koalicioni tha se i ka shkatërruar pjesë të një tjetër rafinerie, asaj në Qarrah, ndërmjet Baixhit dhe qytetit kryesor në veri, Mosul, që ishte “përdorë nga Daeshi për të prodhuar naftë për tregun e zi, për t’i financuar aktivitetet terroriste”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi