Synohen përgatitje më të mira për turizmin dimëror

Brezovica

Sezoni i turizmit dimëror në Kosovë po ofrohet, bizneset kanë filluar përgatitjet për këtë sezonë, por nuk vërehet ndonjë angazhim i autoriteteve komunale në viset turistike të Kosovës, pohojnë ekspertë dhe afaristë.

Në Kosovë, turizmi dimëror zhvillohet në viset malore dhe si potenciale më të rëndësishme konsiderohen Qendra e Skijimit “Brezovica” në Malet e Sharrit, Rugova dhe Dragashi.

Biznesi privat i ka filluar përgatitjet dhe kërkon ndihmën e autoriteteve komunale dhe qendrore që gjatë kohës së dimrit, kur reshjet e borës janë më të theksuara, të jenë të përgatitur për pastrimin e rrugëve.

Në Bogë të Rugovës ose 115 kilometra nga Prishtina, veprimtarinë e zhvillon Hotel Magra Austria. Kjo ndërmarrje shërbyese edhe pse punon gjatë tërë vitit me kapacitet të plotë, ka nisur përgatitjet edhe për sezonin e turizmit dimëror.

Menaxheri i kësaj ndërmarrje, Albin Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se janë duke siguruar pajisje për largimin e borës, pasi autoritet kompetente jo rrallë herë dështojnë në këto shërbime.

“Patjetër që kemi filluar, me të hyrat tona personale, kemi blerë makineri për borë për sezonin e dimrit. Për arsye se nuk mirëmbahet rruga gjatë kësaj sezone. Në malet e Rugovës dimri është me reshje të mëdha të borës dhe vështirësohet qarkullimi. Komuna duhet të merret më shumë me këtë çështje”, thekson Thaqi.

Përveç bizneseve private që kanë filluar përgatitjet, ekspertë të fushës së turizmit, pohojnë se autoritet kompetente janë të padukshme në këto vise.

Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, thekson se mundësitë ekzistojnë që të forcohet dhe të përmirësohet pozita e viseve turistike si destinacione për pushime dimërore.

Por, kjo nuk po ndodh dhe në këtë mënyrë qytetarët nuk do t’iu drejtohen viseve turistike në Kosovë, por vendeve te rajonit dhe të Evropës.

"Prapë do të humbim klientët. Ata do të drejtohen në qendrat e skijimit të Maqedonisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Kurse Kosova për çdo vit e më shumë do të humb klientët potencial”, thekson Çeku.

Sipas Çekut, Qendra Turistike për Skijim “ Brezovica", nuk ofron ende kushte të duhura për klientët.

“Brezovicën do të përcjellin problemet e njëjta. Do të angazhohen sigurisht në momentin e fundit. Do të angazhohen ngjashëm sikur në vitin e kaluar, me kyçjen e Qeverisë së Serbisë, me ndonjë donacion modest, që do të jetë”, thotë Çeku.

Kompleksi “Brezovica” është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.

Vitin e kaluar është privatizuar kjo qendër. Konsorciumi francez MDP Consulting –Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë euro, nga të cilat 165 milion pritet të investohen në tri vitet e para, kurse ka premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune.

Në investime parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.