Clinton dhe Sanders dominojnë debatin e Demokratëve

Hillary Clinton dhe Bernie Sanders

Në Shtetet e Bashkuara, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, dhe senatori i Vermontit, Bernie Sanders, kanë dominuar debatin e parë presidencial të Partisë Demokratike.

Clinton dhe Sanders, të cilët kanë qenë të shoqëruar edhe nga tre kandidatë të tjerë më pak të njohur, në një debat dyorësh në Las Vegas, janë përplasur për çështjet si kontrolli i armëve, politika ekonomike dhe roli i ushtrisë amerikane jashtë vendit.

Çështja e kontrollit të armëve është kthyer në rend dite sidomos pas të shtënave masive në një kolegj në Oregon, në fillim të muajit.

Kur Clinton ka thënë se rivali i saj, Sanders, nuk është mjaftueshëm i rreptë, ajo i është referuar votimit të tij në vitin 2005 për një masë që u jep imunitet prodhuesve të armëve nga paditë e viktimave të të shtënave.

Sanders, duke mbrojtur veten, ka thënë se ai mbështet shërbime më të mira të shëndetit mendor.

Të dy ata janë përplasur edhe për kapitalizmin. Sanders ka thënë se është kundër pabarazisë në rritje ekonomike dhe kundër ndikimit të madh të elitës së pasur.

Ai ka përmendur vendet skandinave, sidomos kujdesin e tyre universal shëndetësor dhe përfitimet e bollshme të punëtorëve, si model për praktikat e qeverisë që ai do t’i donte.

“Mendoj se duhet të shohim vendet si Danimarka, Suedia dhe Norvegjia dhe të mësojmë nga ajo që kanë bërë ato për punëtorët e tyre”, ka thënë Sanders.

“Mendoj se ajo çfarë po thotë senatori Sanders vlen në kuptimin e pabarazisë që kemi. Por, ne nuk jemi Danimarkë”, është përgjigjur Clinton.

Një fushë tjetër e mosmarrëveshjeve ka qenë politika në Lindjen e Mesme. Sanders ka përmendur në veçanti votën e Clintonit në Kongres në vitin 2003, për të autorizuar pushtimin e Irakut nga Shtetet e Bashkuara.

Sanders ka thënë se konflikti në Irak ka qenë “gabimi më i keq i politikës së jashtme” në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Clinton, në anën tjetër, ka mbrojtur mbështetjen e saj për luftën në Irak dhe për zonën e ndalim-fluturimit në Siri.

Edhe Clinton, edhe Sanders kanë thënë se kundërshtojnë dërgimin e trupave amerikane në Siri, ku forcat e regjimit po luftojnë fraksione të ndryshme rebele dhe militante për më shumë se katër vjet.

Në skenën e debatit kanë qenë edhe tre kandidatët e tjerë: ish-guvernatori i Merlilendit, Martin O'Malley, ish-senatori i Virxhinias, Jim Webb, dhe ish-guvernatori i Rod Ajllënd, Lincoln Chafee. Të tre ata kanë fituar mezi nga 1 përqind në sondazhet e fundit.

Një nga pyetjet më të mëdha rreth fushatës demokrate presidenciale është nëse nënpresidenti Joe Biden do t’i bashkohet garës më vonë. Ai ka thënë se nuk ka vendosur ende, porse do të njoftojë brenda ditësh.

Në anën tjetër, janë 15 republikanë që po konkurrojnë për t’u bërë kandidatë të partisë së tyre për Shtëpinë e Bardhë.

Partitë do të kenë kandidatin e tyre verën e ardhshme, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të mbahen në nëntor të 2016-ës.

Përgatiti: Valona Tela