Pak mundësi për shkëmbim përvojash mes mjekëve

Ilustrim

Profesionistë shëndetësorë në Kosovë, nuk e kanë mundësinë e shkëmbimit të përvojave profesionale shëndetësore me kolegët e tyre jashtë shtetit.

Kjo për shkak të mungesës së buxhetit që posedon Ministria e Shëndetësisë si dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës për këtë program.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga java e ardhshme do të fillojnë bashkëpunimet me shtetet e rajonit e më gjerë, për dërgimin e stafit shëndetësorë, qoftë për edukim të vazhdueshëm, apo edhe shkëmbim përvojash.

"Ne po mendojmë si minsitri që në kuadër të bashkëpunimit që kemi me ministritë tjera të shteteve të ndryshme, të fillojmë të bëjmë edhe një pikë të rëndësishme siç është shkëmbimi i kuadrove".

"Do të fillojmë me Ministrinë (e Shëndetësisë) e Kroacisë, javën e ardhshme, duke e marrë parasysh përvojën e mirë që egziston për specialzimin e kuadrove tona në Kroaci".

"Ne do të fillojmë të negociojmë që në shtetet të ndryshme të dërgojmë kuadro për specialzim. Deri tash nuk ka pasur marrëveshje të shkruar që janë dërguar kuadro. Tash jashtë shtetit po e shqyrtojmë mundësinë t'i dërgojmë shumë specializantë për gjashtë muaj, apo më shumë jashtë shtetit, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat", tha Sadiku.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Curr Gjocaj, ka thënë se buxheti prej 15 mijë eurosh në vit, që është i ndarë për rreth tre mijë punëtorë shëndetësorë, ua pamundëson mjekëve marrjen e përvojave të reja shëndetësore jashtë vendit.

"Ne e kemi programin për edukim të vazhdueshëm, por për t’ju ndihmuar mjekëve në këtë drejtim kemi shumë pak mundësi, meqë i kemi në dispozicion vetëm 15 mijë euro për 3 mijë punëtorë shëndetësorë. Këto nuk mjaftojnë as për një grup të vogël", tha Gjocaj.

Kirurgu i përgjithshëm në Qendrën Klinike Universitare, Rifat Bajrami, ka bërë të ditur se ndonëse është shumë i nevojshëm shkëmbimi i përvojave për shkak të avancimit të shëndetësisë çdo ditë e më shumë, mundësitë e mjekëve të Kosovës janë të pakta.

"Mbështetje financiare nga QKUK-ja nuk kemi. Nuk ka mjete të mjaftueshme për trajnime të ndryshme. Por, sa i perket pjesëmarrjes në simpoziume të ndryshme që organziaohen nga vende të ndryshme evropiane, ata na ftojnë shpeshherë duke na mbështetur edhe financiarisht, dhe kjo është mundësi që mjekët e shfrytëzojnë për marrjen e përvojave nga kolegët e ndryshëm të vendeve të ndryshme të botës".

"Mendoj se është shumë i nevojshëm shkëmbimi i përvojave mjekësore, meqë shëndetësia çdo ditë avancon".

Sidoqoftë, Kosova ka mungesë të kuadrove në disa lëmi, si në kardiokirurgji, mungesë anesteziologësh, si dhe mjekëve që merren me kujdesin e të moshuarve apo geriartria, thonë profesionistë shëndetësorë.