Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar në Nju Jork me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken.
"Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për marrëdhëniet bilaterale si dhe mbështetjen e SHBA-së për Republikën e Kosovës", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas të njëjtit, zëvendëssekretari Blinken ka vlerësuar vendimet e fundit që janë marrë nga Republika e Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale, marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Blinken po ashtu ka shprehur përkrahjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizimit-Asociimit dhe për proceset tjera integruese në strukturat euroatlantike.