“Na i lënë pesë gishtat në faqe”, “na thonë që jemi kafshë”, “na shajnë familjet”, “nuk na lënë të ankohemi”...
Këto janë përgjigjet e disa nxënësve që takuam në oborrin e shkollës fillore Ismail Qemali në Prishtinë, kur i pyetëm nëse arsimtarët ushtrojnë çfarëdo forme të dhunës mbi ta.
Këtu mund t’i dëgjoni shqetësimet e tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, Bajram Vrapçani, zëvendësdrejtor i kësaj shkolle, i tha Radios Evropa e Lirë se para tre ditësh ka marrë një ankesë se është përdorur dhunë ndaj nxënësit nga arsimtari, por që sipas tij, “prindi i nxënësit dhe arsimtari kanë arritur pajtueshmëri, meqë ka qenë incident i momentit”.
"Raste të shpeshta nuk kemi të lajmëruara. Ankesa kemi marrë, një e kemi pasur para disa ditësh. Kemi biseduar edhe me arsimtarin, edhe me prindin e fëmijës. Dhuna fizike ka qenë afektive në pushim, gjatë orës së mësimit nuk kemi pasur ndonjë rast. Ndërkaq masa nuk është ndërrmarrë ndaj arsimtarit në fjalë, por vërejte me gojë, jo me shkrim”, thotë zëvendësdrejtori i kësaj shkolle.
Arsimtari i lëndës së kimisë, Valon Hoxha, në të njejtën shkollë, thotë se nuk ka vërejtur ose dëgjuar të ketë dhunë në shkollën ku ai punon.
"Jo realisht unë nuk kam vërejtur se ka dhunë. Problemet sot me nxënës janë të shumta, por mundohemi ato probleme t’i zgjidhim në mënyrë pedagogjike. Ne nuk e përdorim dhunën, dhe ne jemi ëktu për t’i mësuar, jo për të ushtruar dhunë ndaj tyre".
"Sot gjeneratat e reja janë shumë më të gjalla, më të mençura dhe të informuara, por ne gjithmonë mundohemi në mënyrë pedagogjike”, thotë zoti Hoxha, për të cilin, fëmijët nuk kishin vërejtje.
Megjithatë, shkolla fillore Ismail Qemali në Prishtinë, nuk është e vetmja e cila përballet me akuza nga fëmijët.
Linda Gusia, psikologe, shpjegon hollësitë e ndikimit që dhuna fizike dhe ajo psikike ka te një fëmijë, pavarësisht se ku ndodhë ajo.
"Mendoj se është problem serioz dhe duhet të merren masa që dhuna të jetë e përjashtuar. Nuk do të duhej të ketë tolerancë ndaj arsimtarëve që përdorin dhunë tek fëmijët. Pasojat janë të mëdha, pasojat psikologjike, frika, ankthi".
"Mandej është e tmerrshme që një fëmijë të shkojë të vijojë mësim te një mësimdhënës që mund të jetë i dhunshëm. Është plus dhunë psikologjike. Pasojat janë se formojmë një shoqëri të dhunshme dhe jo funksionale”, thotë Gusia, për programin tonë.
Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, drejtoresha e arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se ankesa zyrtare nuk kanë marrë asnjëherë për dhunën e mundshme të mësimdhënësve mbi nxënësit, por megjithatë nuk e mohon se ajo përdoret në shkolla.
Zonja Nagavci shton se së shpejti do të funksionalizohet një zyrë për çështjen e sigurisë në shkolla.
“Çështja e sigurisë në shkolla është ndër prioritetet tona. Hulumimet që i kemi bërë tregojnë se ka shumë për t’u punuar në këtë drejtim. Drejtoria e arsimit brenda dy javësh do të funksionalizojë zyrën për siguri në shkolla, ku do të kemi një person kontaktues dhe koordinues për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në këtë drejtim dhe do të mbështes respektimin e të drejtave të fëmijëve në shkolla”, thotë zonja Nagavci.
Ndryshe, studimet që janë bërë dy vitet e fundit nga disa organizata joqeveritare në Kosovë mbi këtë temë, tërheqin vërejtjen për rritjen e dhunës psikike të mësimdhënësve ndaj nxënësve.
Kohë më parë, edhe vet Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, pati tërhequr vërejtjen e përdorimit të dhunës psikike dhe fizike në shkollat fillore dhe të mesme si mjet edukativ.