Takimi Obama-Putin: Kush kë ka ftuar?!

Foto nga arkivi

Sipas të gjitha gjasave, biseda që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, do të zhvillojnë në Nju Jork, do të jetë serioze dhe substanciale, për çështjet si Siria dhe Ukraina.

Dhe, gjykuar nga mosmarrëveshjet se kush në të vërtetë ka kërkuar takimin, ajo mund të shndërrohet në bisedë të pakëndshme.

Takimi i paraparë për sot (28 shtator), në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të jetë takimi i parë zyrtar midis dy presidentëve, prejse Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Krimenë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, më 24 shtator, kanë konfirmuar takimin dhe kanë thënë se ai do të mbahet me kërkesë të Putinit.

“Mendoj se është e drejtë t’ju thuhet se (takimi vjen) në bazë të kërkesave të vazhdueshme që kemi pasur nga rusët, të cilët janë shumë të interesuar për një bisedë me presidentin Obama”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, duke iu drejtuar gazetarëve.

Më vonë, ai ka bërë shaka duke thënë se rusët mund të jenë “dëshpëruar” nga takimi.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, ka thënë se aleatët evropianë i kanë bërë thirrje Obamës që të takojë Putinin për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

“Do të ishte e papërgjegjshme të mos kemi një takim ballë për ballë dhe të mos adresojmë drejtpërdrejtë me presidentin Putin qëndrimet dhe shqetësimet tona”, ka thënë Rhodes.

Megjithatë, sipas këshilltarit të lartë të Kremlinit, Yuri Ushakov, ka qenë Shtëpia e Bardhë ajo që në fakt ka kërkuar takimin.

“Dua të theksoj se njoftimi i sekretarit për media të Shtëpisë së Bardhë, Earnest, se presidenti rus gjoja ka kërkuar këtë takim, nuk është i saktë. Ne nuk i hedhim poshtë ftesat”, ka thënë Ushakov për agjencitë ruse të lajmeve.

Në prag të takimit, ka pasur po ashtu raporte se Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të negociojnë me Rusinë për një draft-rezolutë, e cila do të miratonte forcimin e pozicionit të saj në Siri.

AP ka raportuar se drafti rus u bën thirrje vendeve që të luftojnë grupet ekstremiste “në koordinim me qeveritë e shteteve të prekura”.

Kjo gjuhë mund të shihet si referencë për Qeverinë siriane, e cila, sipas Uashingtonit dhe qeverive të tjera perëndimore, duhet të largohet.

Rusia ka dërguar një kontingjent të konsiderueshëm të armatimit dhe personelit në Siri, në javët e fundit.

Dislokumi më i madh rus jashtë hapësirës së ish-Bashkimit Sovjetik, ka alarmuar Uashingtonin, i cili dyshon se forcat ruse ndodhen atje jo vetëm për të luftuar të ashtuquajturin Shtet Islamik, por edhe për të mbështetur forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Në një intervistë për televizionin CBS, Putin ka përsëritur qëndrimin e Moskës se mbështetja për Qeverinë e Assadit është çelësi i mundjes së radikalëve islamikë.

“Është bindja ime e thellë se çdo veprim tjetër – që do të shkatërrojë qeverinë legjitime – do të krijojë një situatë që mund ta shihni në vende të tjera të rajonit, siç është Libia, ku të gjitha institucionet shtetërore janë shpërbërë”, ka thënë Putin.

Përgatiti: Valona Tela