Paga mesatare në sektorin privat, 250 - 300 euro

Ilustrim

Punonjësit në sektorin privat paguhen më pak sesa ata të cilët punojnë në sektorin publik.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2014, paga mesatare për punonjësit në sektorin privat në Kosovë, është 250 deri në 300 euro në muaj, derisa në sektorin publik paga mesatare është 300 deri në 400 euro.

“Të intervistuarit që punojnë në sektorin qeveritar, kanë raportuar se punojnë më pak orë sesa të punësuarit në sektorin privat”, thuhet në vijim të Anketës së Fuqisë Punëtoretë Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ndërkohë, burimi kryesor i të hyrave për ekonomitë familjare në Kosovë në vitin 2014, sipas të dhënave të ASK-së janë nga sektori privat.

“Në bazë të anketës së fuqisë punëtore të vitit 2014, paga mesatare në sektorin publik është 300 deri në 400 euro, ndërsa në sektorin privat 250 deri në 300 euro në muaj”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Hazbije Qeriqi, zëdhënëse në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Për qytetarët edhe përfaqësues të punëtorëve ne sektorin privat, pagat ne sektorin privat janë të ulëta, dhe nuk plotësojnë nevojat elementare për familjet.

Sinan Llapashtica, i cili punon në një komani privatë në Kosovë tregon për Radion Evropa e Lirë se me të ardhurat që ai i merr nga puna e tij, nuk i mjaftojnë që të mbulojë shpenzimet e tij mujore.

Ai thotë se pagat në sektorin privat janë të vogla, derisa çmimet po rriten qdio ditë e më shumë

“Nëse nuk punojnë dy apo tre anëtarë të familjes është shumë vështirë të ja dalësh me një pagë çfarë është në sektorin privat. Me të ardhurat që unë i kam nga paga mbaj familjen dhe është shumë e vështirë të mbulohen të gjitha shpenzimet, çmimet janë të larta”, shprehet Llapashtica.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë se çdo pagë mujore e cila është më pak se 350 euro, nuk afron standard të mirë jetësorë në Kosovë.

“Me pagat që i marrin punëtorët në sektorin privat nuk arrijnë të përmbushin nevojat elementare për jetë. 70 për qind e punëtorëve që punojnë në sektorin privat dhe kanë këto paga nuk janë në gjendje ta mbajnë veten e lërë më familjen“, shprehet Azemi.

Ndryshe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku paga mesatare në sektin privat nuk është më shumë se 300 euro në muaj, në hulumtimet që ka bërë Aleanca Kosovare e Biznesit, thuhet se paga mesatare në sektorin privat është 346 euro.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini ka theksuar se krahasuar me vitet e kaluara paga mesatar në sektorin privat ka shënuar ngritje.

Megjithatë, sipas tij edhe kjo pagë 346 euro nuk është e mjaftueshme për një familje pesë anëtarë.

“Paga 346 euro është një pagë solide për një familje të vogël, por sikur në çdo familje të punojë dy apo tre kjo pagë do të ishte e një niveli të mirë, por që në asnjë mënyrë nuk flitetpër një pagë me standardë të lartë dhe që i plotëson kërkesat e një familje pesë anëtarë”, ka theksuar Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Shahini ka treguar se nga hulumtimet që ata i kanë bërë, sektori publik mbetët më i preferuar për të punuar sesa sektori privat.

Ndryshe, në sektorin privat llogaritet se punojnë mbi 220 mijë persona.