Kosova feston Kurban Bajramin – thirrje për solidaritet me refugjatët

Kosovë...foto nga arkivi

Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë sot Kurban Bajramin me lutjet dhe urimet për paqe, dashuri dhe solidaritet ndaj njëri - tjetrit.

Kjo festë karakterizohet me kurorëzimin e Haxhit dhe flijimin e kurbanit apo therrjen e dashit.

Sikurse edhe festat tjera fetare, edhe për Kurban Bajram realizohen vizita nëpër familje, fqinjësi, miq e farefis, ku njerëzit urojnë njëri tjetrin për shëndet dhe jetë të begatë.

Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban – Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Ligjëratën tematike kushtuar kësaj feste e ka mbajtur Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora. Pasi që ka folur për Festën e Kurban Bajramit ai ka rikujtuar edhe disa nga parimet kryesore të fesë islame.

“Të gjithë ne duhet ta ndiejmë vetën krenar që i përkasim kësaj feje të ndritshme, kaq të pastër, kësaj feje të paqes, të mëshirës, të dashurisë e cila qëllim parësor ka respektin e njëri tjetrit, dashurinë që duhet ne ta shprehim ne ndaj njëri tjetrit sepse vet fjala islam është fjalë e paqes”, ka thënë Bajgora.

Mesazhin kryesor për Kurban Bajram e ka adresuar Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Ai është lutur që Kosova të tejkaloj problemet në mënyrë që të gjithë qytetarët e saj të gjejnë mirëqenien.

Po ashtu, ai është lutur që vendet e përfshira në luftë, që nga Iraku e Siria, të gjejnë paqen.

Njëherësh ka bërë thirrje për solidaritet me refugjatët të cilët kanë vërshuar Evropën nga vatrat e krizës.

“Lutemi që më parë vendet në konflikte të gjejnë paqen. Lutemi që sa më parë popujt e Sirisë e Irakut të gjejnë paqen e qetësinë, ndërsa të dëbuarit, refugjatët nga këto vende të gjejnë solidaritet, humanitetin dhe bamirësinë e popujve të lirë. Nuk guxojmë të jemi indiferent ndaj asaj që po troket në dyert tona – nga vuajtjet e refugjatëve nga Siria. Ftoj të gjithë që të jemi solidar e bamirës me refugjatët përvuajtur, e kemi urdhër nga Zoti të përkujdesemi për ta”, ka thënë Myftiu Tërnava.

Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët mysliman në Kosovë i kanë uruar edhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe partive politike të Kosovës.

Ata kanë uruar që kjo festë të jetë festë e unitetit, e arsyes, ku do të ketë mirëkuptim, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.