Mustafa dhe Thaçi të martën përballë opozitës në Kuvend

Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kabineti i tij qeveritar, pritet që përfundimisht të martën të ballafaqohen në Kuvend me opozitën në lidhje me marrëveshjet e 25 gushtit të arritura në dialogun me Beogradin në Bruksel.

Seanca e ndërprerë të enjten, për shkak të mungesës së kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi, është caktuar të mbahet të martën.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka ftuar deputetët që të debatojnë për të gjitha çështjet në lidhje me këto marrëveshje, por assesi të mos i bllokojnë fizikisht punimet e Kuvendit, siç vepruan seancën e fundit deputetët opozitar.

“Ne jemi të zgjedhur të popullit, as unë si kryetar i Kuvendit nuk kam të drejta më shumë se ata 119 deputetë të tjerë. Unë besoj që është mirë që qytetarët të na dëgjojnë, sepse kanë nevojë të dëgjojnë se çfarë është arritur në Bruksel. Bllokimi nuk është masë që i ndihmon askujt, është më mirë me komuniku bashkërisht dhe me qenë më të përgjegjshëm në raport me ata që na kanë zgjedhur”, ka thënë Veseli.

Partitë opozitare në anën tjetër, vazhdojnë të konsiderojnë se qeveria dhe kreu i saj po tallet me Kuvendin. Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka cilësuar gjendjen në vend si të jashtëzakonshme.

“Pse po talleni me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ju si kryetar po lejoni një tallje të tillë që po i bëhet Kuvendit. Ju keni rolin që ta mbroni këtë Kuvend dhe jo ta lejoni qeverinë që ta përdorë si vegël atë. Po tentoni që të krijoni një situatë të rrejshme, kinse gjithçka është në rregull sot në Kosovë, por situata është e jashtëzakonshme. Këtij tensionimi i ka paraprirë nënshkrimi i marrëveshjeve nga Isa Mustafa”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputetes Albulena Haxhiu i është kundërpërgjigjur shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri. Sipas tij, shumë nga përfaqësuesit e opozitës nuk e kanë lexuar rregulloren e punës andaj edhe bëjnë deklarata pa vend.

“Unë e di që këta janë të mençurit e botës, dhe mendojnë që të tjerët e kanë keq. Më lejo kryetar ta them mendimin tim, sepse këtu nuk është vetëm t’ua bëjmë qejfin disave, zonja Haxhiu me gjithë respektin unë mendoj që ju keni nevojë t’i lexoni rregulloret”, i është drejtuar Beqiri.

Ndërkohë, Valdete Bajrami nga partia tjetër opozitare, Nisma për Kosovën, ka ngritur dyshimin e saj se kryeministri Mustafa mund të mos shkojë as në seancën e radhës, pasi që qeveria sipas saj, në shumë raste ka ndryshuar agjendën e punës së Kuvendit.

“A është e sigurt që nesër Isa Mustafa do të jetë në interpelancë. Edhe ju si kryetar duhet të siguroheni e ta merrni vesh dhe jo pastaj të vijmë në seancë dhe më pastaj të thuhet po tërhiqet kjo pikë, sepse kjo po ndodhë nga praktikat që i kemi kaluar tashmë”, është shprehur Bajrami.

Raportimi i kryeministrit Isa Mustafa ishte planifikuar fillimisht për të enjten e kaluar, por ishte shtyrë pasi që kryeministri i Kosovës kishte kërkuar që bashkë me të në seancë të merrnin pjesë edhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi dhe ministrat e përfshirë në dialogun e Brukselit.

Ky veprim i Mustafës kishte nxitur reagimin e deputetëve opozitar të cilët më pas penguan vazhdimin e punimeve të Kuvendit deri në caktimin e seancës kur Mustafa do të vinte dhe ballafaqohej me Kuvendin.