Bllok opozitar në Kuvend dhe në rrugë për rrëzimin e qeverisë

Kuvendi i Kosovës

Tri partitë opozitare në Kosovë kanë shpallur bllok unik me synimin që të rrëzojnë qeverinë aktuale dhe të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Liderët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma për Kosovën thanë të mërkurën se vendimet e fundit të qeverisë, sidomos marrëveshjet me Serbinë, e pamundësojnë çdo bashkëpunim me të.

Koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas opozitës, ka bërë tashmë marrëveshje me Serbinë në dëm të interesave të vendit.

Andaj, opozita ka dalë me një deklaratë të përbashkët për formimin e bllokut të tri partive në opozitë, e cila është lexuar nga kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

"Deklarojmë që Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën, dakordohen se do të veprojmë si opozitë e bashkuar në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike", ka thënë Ymeri.

Blloku i opozitës është krijuar në prag të seancës së parë të Kuvendit të Kosovës në sesionin vjeshtor, të thirrur për të enjten, kur kryeministri Isa Mustafa pritet të raportojë në lidhje me marrëveshjet e fundit me Serbinë të arritura në Bruksel.

Por, ky debat, nga opozita, është konsideruar i vonuar pasi që marrëveshjet tashmë janë nënshkruar.

Sidoqoftë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka ftuar opozitën që të qëndrojë në seancë për të debatuar së bashku.

"Do t'i ftoj edhe partitë opozitare që paraprakisht ta konsumojnë debatin, për arsye se Kuvendi është vendi ku munden më së miri të bisedojnë dhe t'i ngrisin të gjitha çështjet. Por, nëse e kanë parapërgatitur projektin e tyre për të shkuar në opsione tjera, atëherë të paktën ta kenë mirësjelljen që kur debatojmë të jemi bashkërisht", ka deklaruar Veseli.

Veprimet e opozitës u tha se do të jenë të përbashkëta si në kuadër të institucioneve ashtu edhe jashtë tyre.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria ka shkuar shumë larg me marrëveshjet e fundit, dhe se sipas tij, më së miri është që të heq dorë qysh tash nga zbatimi i tyre.

"U bëjmë thirrje të heqin dorë nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve. Vonë është, sepse kanë shkuar shumë larg, por më mirë është të heqin dorë", ka thënë Haradinaj.

Në këtë moment politik kur opozita ka ndërprerë çdo bashkëpunim me qeverinë, për liderin e partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, zgjidhja më e mirë do të ishte mbajtja zgjedhjet e jashtëzakonshme.

"Kjo qeveri nuk ka më asnjë legjitimitet për të vazhduar më tutje. Qeveria e Kosovës duhet të dorëheqet sa më shpejt, ngase ka humbur kredibilitetin, legjitimitetin qytetar dhe votues", ka deklaruar Limaj.

Marrë parasysh se koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pakicave tejkalon shumicën prej dy të tretave të deputetëve në Kuvend, opozita po përpiqet që fuqinë e vet politike ta baraspeshojë edhe përmes organizimeve jashtë institucionale.

Nga e premtja, është paralajmëruar nënshkrimi i një peticioni kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, kurse më pas është paralajmëruar edhe organizimi i protestave.